Këngëtari Oliver Tree humb jetën në aksident tragjik me helikopter në Brazil
Oliver Tree, i njohur për hitet “Life Goes On” dhe “Miss You”, ka humbur jetën në moshën 32-vjeçare pas një aksidenti tragjik me helikopter në Rio de Janeiro të Brazilit.
Sipas raportimeve, ai ishte një nga gjashtë viktimat e përplasjes në ajër mes dy helikopterëve që ndodhi të dielën në zonën Recreio dos Bandeirantes.
Në aksident humbën jetën edhe pasagjerët Lucas Vignale, Gaspar Prim (i njohur si YouTuberi argjentinas Gaspi), Lucas Brito Chaves, si dhe pilotët Alexandre Souza dhe Charles Marsillac.
Përplasja ndodhi mbi një parking automjetesh elektrike, duke shkaktuar zjarr që përfshiu të paktën 20 automjete.
Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes.
Tree ndodhej në Amerikën e Jugut në kuadër të turneut të tij botëror dhe kishte mbajtur koncert në Sao Paulo më 6 qershor.
Ai pritej të vazhdonte turneun në Lisbonë muajin e ardhshëm.
I lindur në Kaliforni, Oliver Tree e nisi karrierën muzikore në moshë të re dhe u bë i famshëm falë stilit të tij unik muzikor dhe vizual.
Gjatë karrierës publikoi albume të suksesshme si “Ugly Is Beautiful”, “Cowboy Tears” dhe “Alone in a Crowd”, ndërsa albumi i tij më i fundit ishte publikuar më herët gjatë këtij viti.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur fansat në mbarë botën, të cilët po shprehin ngushëllimet për artistin që la gjurmë në skenën muzikore ndërkombëtare. /Telegrafi/


