Këngëtares i bie të fikët në skenë, pak kohë pasi tregoi se humbi 10 kilogramë në një muaj
Një yll i njohur i K-pop-it i trembi fansat kur u alivanos në skenë gjatë performancës, vetëm pak kohë pasi kishte treguar se kishte humbur 10 kilogramë brenda një muaji.
Hyuna, 33 vjeç, po performonte këngën e saj të famshme “Bubble Pop” në festivalin muzikor Waterbomb 2025 në Makao, të dielën, kur papritur ra në dysheme gjatë kërcimit.
Pamjet e momentit tronditës, që po qarkullojnë në internet, tregojnë balerinët duke vrapuar për ta ndihmuar, ndërsa ajo humbiste ndjenjat, përpara se një roje sigurie ta ngrinte dhe ta nxirrte nga skena.
Fansat kanë shprehur shqetësim të madh për shëndetin e saj, veçanërisht pasi ajo kishte zbuluar më herët se kishte humbur 10 kilogramë brenda vetëm një muaji, pas thashethemeve për shtim në peshë dhe një shtatzëni të mundshme, raportoi Korea Times.
Këngëtarja ndau një postim në Instagram me 16.1 milionë ndjekësit e saj, të martën, ku tregonte peshoren që shënonte 49 kilogramë, duke pranuar se e kishte pasur të vështirë “të ndryshonte shifrën e parë” të peshës së saj.
Hyuna ishte diagnostikuar më parë, në vitin 2020, me sinkopë vazovagale – një gjendje që shkakton rënie të papritur të tensionit të gjakut dhe ritmit të zemrës, e cila mund të shkaktohet nga stresi, lodhja apo dieta ekstreme.
Sipas ekspertëve mjekësorë, humbja e shpejtë e peshës mund të çojë në mungesë të ekuilibrit ushqimor, çka mund të ketë ndikuar në humbjen e ndjenjave së saj gjatë performancës.
Pas rikthimit të vetëdijes dhe disa orëve pushim për t’u rikuperuar pas incidentit publik, Hyuna iu drejtua fansave të saj në Instagram për t’u kërkuar falje.
Ajo premtoi gjithashtu se do të punojë për të forcuar qëndrueshmërinë fizike dhe për të qenë më e qëndrueshme në punën e saj.
“Jam me të vërtetë shumë, shumë e penduar… Edhe pse ka kaluar pak kohë nga performanca ime e fundit, doja t’ju ofroja një shfaqje të shkëlqyer, por nuk mendoj se arrita të jem profesionale dhe, për të qenë e sinqertë, nuk mbaj mend asgjë”, shkroi ajo.


