KEK: Njësia A3 ndalet për shkak të një defekti teknik
18/08/2026
Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të një defekti teknik të evidentuar në Njësinë A3, dhe duke pasur parasysh rrezikun e dëmtimit të mëtejshëm të pajisjeve, në ora 22:17 të së hënës është bërë ndalimi i kontrolluar i njësisë.
KEK njofton se ndalimi është ndërmarrë si masë parandaluese, me qëllim të ruajtjes së gjendjes teknike të pajisjeve dhe krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrjen dhe sanimin e defektit.
“Ekipet profesionale janë duke trajtuar situatën dhe Njësia A3 do të rikthehet në operim pas përfundimit të ndërhyrjeve të nevojshme dhe verifikimit të kushteve të sigurta për punë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


