Please enter at least 3 characters.

Katër shkolla organizuan sot defilimin e maturantëve në veri - policia u kujdes për sigurinë, s'kishte asnjë incident

Sot nga ora 11:00, katër shkolla në veri të Mitrovicës organizuan defilimin e maturantëve nëpër sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se organizatori i këtij aktiviteti kishte kërkuar paraprakisht leje, e cila kishte miratuar zhvillimin e këtij aktiviteti, shkruan Telegrafi.

Gjithashtu aktivitete të tilla ka pasur edhe në Zubin Potok dhe Zveçan.

Bëhet e ditur se Policia ka vepruar sipas planit operativ, duke qenë e pranishme në terren me njësitë e saj për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe sigurinë- në trafik gjatë gjithë aktivitetit.

“Nxënësit janë shoqëruar nga profesorë, prindër dhe një grup muzikor. Gjatë defilimit janë mbajtur flamuj serbë dhe në disa raste janë përdorur fishekzjarrë”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se festimet kanë përfunduar rreth orës 18:00 dhe nuk është shënuar asnjë incident.

“Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët, pa dallim, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar. Policia njeh dhe respekton të drejtën e secilit qytetar për të festuar dhe thekson se qëllimi i saj kryesor është garantimi i sigurisë për të gjithë”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/