Please enter at least 3 characters.

Katastrofa e Çernobilit: Mendova se ishte Armagedoni!

Çernobili pas shpërthimit të Reaktorit nr. 4 më 26 prill 1986

(AP)

Dyzet vjet më vonë, ish-nënsekretari i Shtetit për Punët të Jashtme, Tim Eggar, kujton se si katastrofa bërthamore e zhyti botën në kaos.

Nga: Etan Smallman / The Telegraph (titulli: I was the first minister to be told about Chernobyl. I thought it was Armageddon)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në prill të vitit 1986, saktësisht 40 vjet më parë, Tim Eggar po flinte në shtëpi kur - për herë të parë në katër vjetët e tij në qeveri - u zgjua nga zilja e telefonit fiks në komodinën pranë shtratit. “Më falni që ju shqetësoj, ministër”, tha një nëpunës i Ministrisë së Jashtme. “Ka ndodhur një ngjarje bërthamore”.

Eggari, atëherë nënsekretar parlamentar i Shtetit për Punë të Jashtme, thotë se reagimi i tij fillestar, ende i përgjumur, ishte: “Armagedoni”!

“Për një moment mendova: ‘Oh, puna u bë m..., ky është një sulm bërthamor’”, më thotë ai në një bisedë me video nga shtëpia e tij në jug të Oksfordshajrit. Lufta e Ftohtë ishte ende në zhvillim dhe Eggari kishte frikë nga më e keqja. Por, zyrtari në linjë dha njëfarë sigurie: “Jo, ka ndodhur një aksident bërthamor në Bashkimin Sovjetik”.

Gjatë një ndalese rutinë të centralit bërthamor të Çernobilit, në atë që sot është Ukraina, një rritje e papritur e fuqisë kishte shkatërruar Reaktorin 4, duke çliruar sasi të mëdha substancash radioaktive në ajër. Megjithatë, lajmi nuk kishte ardhur nga sovjetikët, por përmes matjeve që janë bërë dy ditë më vonë dhe 800 milje në Veri [1 287.48 kilometra], në Suedi.

Tim Eggar (Windfall Films)

Historia tregohet në një dokumentar të ri me katër pjesë nga National Geographic [Chernobyl: Inside the Meltdown / Çernobili: Brenda shkrirjes], me qasje të jashtëzakonshme tek ata që u prekën nga shpërthimi. Ata janë që nga një inxhinier i lartë i kontrollit të turbinave, i pranishëm atë natë fatale dhe që nuk ka folur kurrë publikisht, deri te një zjarrfikës i plagosur i mbyllur në dhomën e spitalit nga KGB-ja ndërsa flokët dhe mustaqet i binin, si dhe çifti i fundit që u martua në Pripjat - një qytet dy milje larg [3.2 kilometra] që do të mbetej i pabanueshëm për 20 mijë vjetët e ardhshëm. Nusja kujton se si buqeta e saj me trëndafila u vyshk nga rrezatimi, “sikur të ishin djegur”.

Sergey Koshelev, kameramani i ngarkuar në verën e vitit 1987 për të realizuar një film propagandistik mbi misionin për të gjetur 190 tonelata karburantë uraniumi të pagjetur brenda reaktorit të shkatërruar, kujton shefin e tij duke u mburrur: “Rrezatimi sovjetik është më i miri në botë. Do t’ju rrisë qimet në gjoks dhe do të shtojë fuqinë tuaj mashkullore”! Koshelevi qesh, përpara se të shtojë: “Edhe pse ... tani ai ka vdekur”.

Britania ishte aq e papërgatitur për një aksident të tillë saqë u refuzua oferta e Eggarit, herët në mëngjes, për të qenë në zyrë brenda 20 minutash - sepse stafi nuk mund të kontaktonte asnjë nga ekspertët bërthamorë të Mbretërisë së Bashkuar deri në orën nëntë të mëngjesit. Ai thotë: “Për ndonjë arsye, ata nuk kishin numrat e telefonit të shtëpisë së tyre. Tani duket qesharake”.

- YouTube

Sapo mbërriti në Ministrinë e Jashtme: “Frika jonë e menjëhershme reale ishte se do të kishte zona të mëdha të Bashkimit Sovjetik që do të bëheshin të pabanueshme. Mbi këtë supozim u bazua pothuajse e gjithë puna”. Ai gjithashtu filloi të shqetësohej për të gjithë Skandinavinë dhe më pas për pjesët veriore të Mbretërisë së Bashkuar. Delet në qindra ferma në Uells dhe Kumbri do të monitoroheshin për rrezatim për 26 vjetët e ardhshëm.

Si ministër përgjegjës si për industrinë ndërkombëtare të energjisë bërthamore ashtu edhe për qytetarët britanikë jashtë vendit, Eggari do të ishte në qendër të përpjekjeve për të marrë informacion mbi katastrofën në zhvillim dhe për të kthyer britanikët në atdhe. Ai kujton se brenda pak orësh nga njoftimi për rrjedhjen e rrezatimit, thirri një përfaqësues nga ambasada sovjetike në Londër. Megjithatë, “ata nuk na thoshin asgjë. As nuk pranonin që kishte ndodhur një incident”.

Një nga fotografitë e para ajrore të marra pas katastrofës së Çernobilit më 26 prill 1986(Anatoly Rasskazov)

Shtatëdhjetekatërvjeçari kujton gjithashtu “një debat mjaft të ashpër midis ekspertëve tanë nëse ishte një mjegullim i qëllimshëm i së vërtetës. Dhe, mendoj se filmi e bën mjaft të qartë se në ato orë të para, ata [sovjetikët] as vetë nuk e dinin”.

Shumica e britanikëve në Bashkimin Sovjetik ishin studentë në Kiev dhe Minsk, të cilët - për shkak të mënyrës se si BRSS-ja kontrollonte rreptësishtë udhëtimet ndërkombëtare - duhej të arrinin në Moskë për të marrë një fluturim për në Londër. Eggari e kujton këtë si “një makth burokratik”. “Çështja tjetër, që u bë e qartë, ishte se sovjetikët nuk donin të binin dakord për evakuimin e qytetarëve tanë, apo edhe të qytetarëve të vendeve të tjera, nëse nuk bënin të njëjtën gjë për qytetarët e tyre”.

E tillë ishte vendosmëria për të kontrolluar përhapjen e lajmit për shkrirjen e reaktorit, saqë u ngritën postblloqet e policisë që njerëzit të mos largoheshin dhe linjat telefonike u ndërprenë. Do të kalonin pothuajse 36 orë para se t’u jepej ndonjë njoftim banorëve lokalë. Me një nënvlerësim të madh, altoparlantët më në fund shpallën: “Vëmendje! Të dashur shokë! Në centralin bërthamor të Çernobilit në qytetin e Pripjatit ka një gjendje të pafavorshme rrezatimi”.

Katastrofa ishte prova më ekstreme për premtimet e Mikhail Gorbachevit - i cili ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik një vit më parë. Njeriu për të cilin Margaret Thatcher kishte thënë se mund “të kryejmë punë” pas takimit të tyre të parë në dhjetor 1984, kishte premtuar glasnostin (hapje) dhe perestrojkën (ristrukturim). “Ajo që po thoshim gjatë gjithë kohës ishte: ‘Kjo është mundësia juaj për të dëshmuar se vërtet e besoni këtë’”, thotë Eggari. “Dhe, sigurisht, ata nuk e bënë”.

Mikhail Gorbachev(Peter Turnley/VCG/Getty Images)

Ndërsa një re pluhuri radioaktiv lëvizte drejt jugut në drejtim të Kievit, jeta vazhdonte si zakonisht. Analisti bërthamor i CIA-s, Ray Richardson, thotë në film: “Në një kohë kur duhej të strehoheshin, në fakt ata kishin një paradë”.

Festivali vjetor i 1 Majit për të shfaqur fuqinë ushtarake sovjetike - me shokë që kërcenin në rrugë - u zhvillua më pak se një javë pas aksidentit. Galina Menzheres, atëherë zëvendëskryetare e qytetit, thotë: “Anëtarët lokalë të partisë, të gjithë, tashmë e dinin që nuk duhej t’i linin fëmijët jashtë. Kështu që ishte e nevojshme të përdoreshin fëmijët [në paradë] për të cilët askush nuk do të fliste [për këtë]. Prandaj, morëm fëmijë prej jetimoreve të veçanta”. (Ajo shton se mendimi i saj ishte dhe mbetet: “Nuk kishte nevojë të silleshin fëmijët”.)

Kur autoritetet sovjetike më në fund publikuan informacione për katastrofën në një transmetim zyrtar lajmesh, pothuajse tre ditë pas shpërthimit, e bënë këtë 25 minuta pas fillimit të edicionit. Krahas censurës, ajo që doli në pah ishte besimi që qytetarët sovjetikë kishin në ndërmarrjen e tyre kolektive dhe mënyra e pamëshirshme me të cilën aparatçikët e shfrytëzuan këtë (episodi i tretë i dokumentarit titullohet thjesht Sakrificë).

E pyes Eggarin nëse mendon se Bashkimi Sovjetik kishte në thelb përbuzje për mirëqenien e vetë popullit të tij. “Po, patjetër”, thotë ai. “Por, është një kulturë tjetër. Jeta e njeriut në Rusi nuk vlerësohet dhe nuk është vlerësuar kurrë në të njëjtën mënyrë si në Evropën Perëndimore”.

Nëse situata do të kishte ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, thotë ai, “nuk mendoj se ne, si politikanë demokratikë, do të kishim mundur të silleshim siç u sollën burokracia dhe politikanët sovjetikë”.

Asgjë nga këto nuk e pengon atë të admirojë guximin e jashtëzakonshëm të rreth 600 mijë personave të përfshirë në operacionin e pastrimit, shumë prej të cilëve dhanë jetën për të siguruar zonën me asgjë më shumë se një maskë fashe për t’i mbrojtur nga nivelet e rrezatimit të papara që nga Hiroshima. Për vullnetarët që fluturuan me helikopterë për të hedhur pesë mijë tonelata rërë, bor, plumb dhe dolomit mbi zjarret që digjeshin, ose për të spërkatur masë panxhari për të kontrolluar lëvizjen e pluhurit, Eggari thotë: “Ndoshta vetëm Bashkimi Sovjetik mund ta kishte përballuar atë detyrë në atë mënyrë”.

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga ajo që mbetet aksidenti më i rëndë bërthamor në botë vlerësohet të ketë qenë në mijëra, por ndoshta nuk do të dihet kurrë me saktësi.

Çernobili do të ndikonte te Eggari - i cili kishte hyrë në Parlament në vitin 1979 - kur ai u emërua ministër i Energjisë në vitin 1992, duke u bërë personi që e mbajti më gjatë atë post. “Një nga debatet që vazhdon ende është shkalla në të cilën autoritetet e sigurisë bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar janë ‘tepër të kujdesshme’. Për shkak të Çernobilit, ndoshta kam qenë më i dhënë ndaj qasjes së mikromenaxhimit të sigurisë sesa duhej. Të shikosh prapa është një gjë e mrekullueshme".

Eggari me Margaret Thatcheri në prill 1979, një muaj para se ajo të bëhej kryeministre(Alamy)

Muajin e kaluar, ai ishte një prej tetë ish-ministrave britanikë të Energjisë që i bënë thirrje qeverisë të reduktonte kufizimet dhe taksat mbi industrinë e naftës dhe gazit në Detin e Veriut. Për të ardhmen e sigurisë energjetike britanike, ai thotë: “Gjithmonë kam besuar në pasjen e sa më shumë burimeve që të jetë e mundur. Absurditeti i kufizimit të kërkimeve shtesë për naftë dhe gaz është thjesht i çmendur si nga ana mjedisore, ashtu edhe ekonomike”.

Historia në seri sillet deri në ditët e sotme. Olena Mokhnyk, tetë vjeçe në kohën e katastrofës, nis duke treguar se si komuniteti i saj në Pripjat u shkatërrua nga Çernobili dhe se si flokët e saj mbanin aq shumë rrezatim saqë duhej t’i priteshin, ndërsa fëmijët e tjerë “na quanin iriqë të Çernobilit”. Ajo përfundon duke u ankuar se si jeta e fëmijëve të saj është përmbysur gjithashtu tani, nga pushtimi rus i Ukrainës.

Terrori aktual me të cilin përballen ukrainasit ilustrohet nga pamjet e momentit të vitit të kaluar kur një dron rus goditi strehën mbrojtëse prej 1.3 miliardë paundësh [vlera e përafërt e 1.5 miliard eurove] që mbulon mbetjet e reaktorit të Çernobilit. Eggari e përshkruan këtë si “vërtet të pabesueshme”.

Por, si do të reagonte Rusia ndaj një katastrofe të ngjashme sot? Ish-ministri sugjeron se përgjigjja mund të ishte edhe më e përqendruar në fshehje. “Po mendoja për këtë disa ditë më parë”, thotë ai. “Tani informacioni po bëhet më i kufizuar, ka më shumë kontroll mbi qytetarët dhe më pak hapje, pavarësisht mediave sociale në Rusi. Të paktën, kur ndodhi Çernobili, Rusia ishte e angazhuar drejt një lëvizjeje për hapje. Nuk funksionoi vërtet në Çernobil, por ky ishte drejtimi, dhe nuk ka dyshim që ai drejtim vazhdoi. Tani, megjithatë, kemi një trend që shkon krejtësisht në drejtimin e kundërt”. /Telegrafi/

- YouTube