Please enter at least 3 characters.

Kane, Olise dhe Luis Diaz e tronditin “BBC”e Real Madridit

Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich e kthyen ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve në një spektakël të vërtetë, me plot nëntë gola në “Parc des Princes” (5-4) – gjysmëfinalja me më shumë gola në historinë e Kupës së Evropës/Ligës së Kampionëve.

Në qendër të vëmendjes ishte treshja sulmuese e Bayern Munich, Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Díaz, të cilët shënuan edhe në këtë përballje. Kane, i cili regjistroi edhe një asist, realizoi një gol, ndërsa Olise dhe Luis Díaz gjithashtu gjetën rrjetën, duke e konfirmuar formën e tyre të jashtëzakonshme këtë sezon.

Me këtë ecuri, Kane (54 gola), Luis Díaz (26) dhe Olise (20) kanë arritur shifrën e 100 golave në sezonin 2025/26 (pa llogaritur asistet), duke u barazuar me treshen legjendare të Real Madridit “BBC” – Cristiano Ronaldo (61), Karim Benzema (22) dhe Gareth Bale (17) – që kishin arritur të njëjtën shifër në sezonin 2014/15.

Po ashtu, në histori 100 gola kishin shënuar edhe Messi (38), Eto’o (36) dhe Henry (26) me Barcelonën në sezonin 2008/09.

Sipas statistikave, kjo treshje është tashmë më produktivja e Bayern Munich në histori, duke e kaluar edhe sezonin 2019/20 kur Lewandowski (55), Gnabry (23) dhe Müller (14) kishin realizuar së bashku 92 gola.

Bayern Munich ka ende (të paktën) pesë ndeshje përpara këtë sezon – tri në Bundesligë, kthimin në Ligën e Kampionëve dhe finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Stuttgartit – për të synuar thyerjen e rekordeve të mëdha të triove historike në Evropë.

Kane, Olise dhe Luis Díaz vazhdojnë të vendosin edhe rekorde individuale: Kane u bë lojtari i parë anglez që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve, Olise ka arritur në 45 kontribute direkte (gola + asiste) në të gjitha garat, ndërsa Luis Díaz shënoi në Evropë për ndeshjen e katërt radhazi, duke shkuar në 7 gola dhe 3 asiste në Champions.

Tani, sfida kryesore mbetet e njëjta, ta eliminojnë PSG-në dhe ta vazhdojnë rrugën drejt trofeut. /Telegrafi/