Please enter at least 3 characters.

“Kam vrarë 500 rusë”: Snajperi i Luftës së Dytë Botërore i njohur si Vdekja e Bardhë

Simo Häyhä (1905-2002)

Arkivi i Fotografive Finlandeze të Kohës së Luftës

Nga: Tom Fordy / The Telegraph
Përkhtimi: Telegrafi.com

Më 21 dhjetor 1939, Simo Häyhä - një snajper finlandez prej kohësh i mitizuar si “Vdekja e Bardhë” - theu rekordin e vet për numrin e ushtarëve sovjetikë të vrarë në një ditë të vetme: 25 të vdekur. Teksa Finlanda po luftonte kundër Ushtrisë së Kuqe të Stalinit në një konflikt 104-ditor të njohur si Lufta e Dimrit, shtypi e cilësoi këtë numër rekord vrasjesh si “dhurata e Krishtlindjes së Häyhäs për popullin finlandez”.

Në atë moment, Finlanda kishte më pak se një muaj që kishte hyrë në Luftën e Dimrit, e cila u zhvillua nga nëntori i vitit 1939 deri në marsin e vitit 1940. Häyhä - një fermer i shkurtër, modest dhe i thjeshtë - shërbeu vetëm 98 ditë përpara se të plagosej rëndë. Por, në atë kohë ai arriti shifrën që e shndërroi atë në snajperin më vdekjeprurës në histori. Numri i viktimave të tij - sipas legjendës së Vdekjes së Bardhë - ishte 542.

I mbështjellë me kamuflazh të bardhë, Häyhä fshihej dhe priste me durim në terren të mbuluar nga bora, duke përballuar temperatura nga minus 20 deri në minus 40 gradë celsius, dhe përdorte një pushkë të thjeshtë për të eliminuar agresorët sovjetikë - një nga një.

“Vdekja e Bardhë”Burimi: Arkivi Ushtarak Finlandez

Häyhä ka frymëzuar filmin jashtëzakonisht të dhunshëm finlandez. Sisu (2022), për një veteran të Luftës së Dimrit që nuk mund të vritej dhe i cili asgjësoi një repart SS për shkak se ata ia kishin vjedhur arin. Filmi është plotësisht fiktiv, por skenaristi dhe regjisori i tij, Jalmari Helander, u frymëzua nga tregimet për bëmat e Häyhäs; me siguri, ka nuanca të Vdekjes së Bardhë tek antiheroi i tij i heshtur dhe i ashpër, Aatami Korpi (Jorma Tommila).

Një “skuadër vdekjeje në një njeri”, që kishte humbur familjen e tij në luftë, thuhet se vrau 300 sovjetikë i vetëm. “Një bastard i keq me të cilin nuk do doje të kishe punë”, thotë një nazist. Personazhi rikthehet në kinema këtë javë për një raund tjetër (madje edhe më të mirë) të dhunës ekstreme në Sisu: Rruga drejt hakmarrjes.

Jorma Tommila si Aatami Korpi

Ka pasur disa debate nëse numri i vrasjeve të Häyhäs ishte i vërtetë. Sigurisht, ai u bë subjekt i propagandës finlandeze gjatë Luftës së Dimrit dhe arriti status legjendar në vitet që pasuan.

Por, në vitin 2017, u zbulua memoari i tij sekret, Kujtime lufte, që dukej se konfirmonte numrin e tij të vrasjeve - ose siç e quante ai, “listën e mëkateve”. “Gjatë gjithë kohës sime në luftë, vrava rreth 500 rusë”, shkroi ai.

Kujtimet ishin shkruar në vitin 1940, pasi një plumb eksploziv e kishte goditur Häyhän në fytyrë dhe ia kishte thyer nofullën - një plagë që e shëmtoi dhe kërkoi 26 ndërhyrje korrigjuese kirurgjikale. Madje, edhe biografi i tij, Tapio Saarelainen, i cili e njihte dhe e intervistoi heroin e luftës, nuk kishte asnjë ide se ekzistonte ky memoar 20-faqësh. Häyhä, i cili vdiq në vitin 2002 në moshën 96-vjeçare, mbeti modest. Duke shmangur vëmendjen dhe lavdërimet, dukej i habitur nga lavdia dhe fama.

Në moshën 17-vjeçare, djali i një fermeri iu bashkua Gardës Civile, një milicie vullnetare, dhe fitoi çmime në shumë gara qitjeje. Çmimet e tij ishin modeste - shpesh vetëm një lugë (disa prej të cilave janë ekspozuar në Muzeun Simo Häyhä në vendlindjen e tij, Rautjarvi) - por, ai më pas ia atribuoi Gardës Civile meritën për mbrojtjen kundër Ushtrisë së Kuqe të Stalinit. “Garda stërvitej shumë dhe burrat e njihnin armën e tyre”, shpjegoi Häyhä.

Ai filloi shërbimin e detyrueshëm 15-mujor ushtarak në moshën 19-vjeçare dhe u rikthye në ushtri kur shpërtheu Lufta e Dimrit më 30 nëntor 1939. Konflikti buroi nga tensionet mes sovjetikëve dhe finlandezëve në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Pas një incidenti të rremë të inskenuar nga sovjetikët (një granatim i sajuar në kufi), Ushtria e Kuqe invadoi. Por, sovjetikët ishin të paorganizuar dhe të papërgatitur për kushtet ekstreme të dimrit. Ushtria relativisht e vogël finlandeze i zmbrapsi sovjetikët për tre muaj.

Në moshën 17-vjeçare, Häyhä iu bashkua Gardës CivileClarín

Häyhä shërbeu në Kompaninë e Gjashtë të Regjimentit të Këmbësorisë nr. 34, me burra të tjerë nga Rautjarvi. Ata shërbyen në Kolla, një fushëbetejë kyçe te lumi Kolla, që u bë sinonim i rezistencës finlandeze. Ata komandoheshin nga togeri Aarne Juutilainen, një disiplinues i ashpër i njohur si “Terrori i Marokos” për kohën e tij në Legjionin e Huaj Francez. I njohur për humorin e zi, Juutilainen këshillonte burrat e tij që të godisnin armikun “derisa t’i binte koka”.

Häyhä mori pjesë në beteja dhe sulme; në një moment, mori detyrën për të prerë linjat telefonike nën zjarr të rëndë mitralozash sovjetikë. Por, Juutilainen dëgjoi për aftësitë e tij si snajper dhe e caktoi shpejt për misione speciale.

Ushtria finlandeze vuante nga mungesa e furnizimeve - disa ushtarë kishin vetëm një pushkë. Häyhä përdori pushkën personale Model 28-30, një model me nofkën “Spitz”. Meqë qëllonte me dorën e djathtë, ai shpjegoi më pas se gjithmonë kishte në shënjestër qendrën e objektivit - jo kokën - dhe shkonte në mision me 50-60 fishekë. Ai nuk përdori dylbi, duke preferuar shënjuesin bazik metalik (pushkët finlandeze zakonisht nuk kishin dylbi). Sipas, Saarelainenit, ai gjithashtu mbante granata në rast se armiku afrohej shumë, por nuk dihet nëse i përdori ndonjëherë.

Häyhä ishte i aftë në të gjitha aspektet e qitjes. Ai mund të rimbushte pushkën me shpejtësi të jashtëzakonshme. Siç përmendet në librin e Saarelainenit, Snajperi i Bardhë, Häyhä dikur rimbushi dhe qëlloi 16 herë për një minutë, duke goditur objektivin në çdo të shtënë. Shumë i disiplinuar, ai mbante gjithmonë distancën 150 metra - më e zakonshmja në betejë - dhe e mbante armën në gjendje të përsosur.

Jorma Tommila (djathtas), pranë skenaristit dhe regjisorit Jalmari HelanderSony Pictures

Ai ishte po aq i përpiktë edhe kur përgatiste pozicionin për qitje. Analizoi vendin një ditë më parë dhe vëzhgoi lëvizjet e armikut, duke krijuar imazhe mendore të peizazhit dhe terrenit. Më pas zhvendosej në pozicionin e tij të qitjes nën mbulesën e errësirës. Ai preferoi vende të fshehta natyrore që nuk kishin nevojë për ndonjë ndryshim. Në fakt, nëse Häyhä vërente ndonjë ndryshim në terren në anën armike, e dinte se sovjetikët po përgatitnin diçka. Megjithatë, ai lagte tokën përpara vetes me ujë dhe e ngjeshte dëborën fort, gjë që pengonte shpërthimin nga gryka e armës që të ngrinte borën lartë dhe të zbulonte pozicionin e tij. “Nga një pozicion i tillë, ishte e lehtë të qëlloja dhe isha i kënaqur me rezultatet”, i tha ai Saarelainenit.

Häyhä gjithashtu vendoste borë në gojë për të ndaluar avullin nga frymëmarrja, për të mos u zbuluar - e pabesueshme po të mendosh se kushtet e dimrit ishin aq ekstreme sa edhe rusët mezi ia dilnin - dhe maskonte grykën e pushkës me fashë. Një pjesë e suksesit të tij ishte kombinimi i durimit ekstrem dhe nervave prej çeliku - duke ditur saktësisht momentin kur duhej qëlluar. Ndonjëherë duke pritur për orë të tëra për një goditje të përsosur, Häyhä mbante në xhepa sheqer dhe bukë thekre për të ngrënë në heshtje dhe për të ruajtur kaloritë. “Ata kurrë nuk e panë”, shkroi Saarelainen në Snajperi i Bardhë. “Prandaj, nuk kishin asnjë paralajmërim kur plumbi i tij i qëlluar me kujdes dilte nga gryka e armës”.

Për dallim, sovjetikët kishin kamuflazh të dobët dhe përdornin dylbi në pushkët e tyre, të cilat ishin të pozicionuara më lart sesa shënjestra metalike e Häyhäs. “Ata gjithmonë duhej të mbanin kokën më lart se unë”, ka thënë Häyhä. “Unë e kisha kokën dhe pushkën në borë, në një strehë të vogël. Nuk mund ta dalloje me sy”.

Në kohën kur theu rekordin ditor - kur vrau 25 burra atë ditë të dhjetorit 1939 - ai veçse kishte vrarë 100 burra.

Sipas tregimeve, sovjetikët frikësoheshin aq shumë nga ky snajper misterioz saqë e quajtën “belaya smert” - Vdekja e Bardhë. Saarelaineni më pas e pyeti Häyhän nëse ishte e vërtetë që sovjetikët kishin caktuar një shpërblim për kokën e tij, të cilës ai iu përgjigj: “E dëgjova vetëm pasi u plagosa dhe dola nga spitali”. Por, Saarelainen dyshoi nëse Häyhä kishte shmangur përgjigjen. Snajperi kujtoi se si sovjetikët bombarduan finlandezët me predha me qëllim për ta eliminuar. Ai pretendoi se 50 predha kishin rënë rreth strehës së tij, por më e keqja që pësoi ishte pak baltë në fytyrë.

Sovjetikët besonin se snajperët finlandezë po qëllonin nga pemët, dhe paralajmëronin njëri-tjetrin, sa herë dëgjonin një zog kukuvajkë, se një rus tjetër do të vritej. Ata e përdorën këtë histori në propagandë për të treguar se ushtarët finlandezë po përdornin taktika të pandershme.

Por, a e njihnin dhe a frikësoheshin vërtet rusët prej tij? Nuk është e sigurt nëse ata e kishin quajtur snajperin e tyre misterioz “Vdekja e Bardhë”, apo nëse ishte thjesht një tregim i krijuar nga shtypi finlandez. Me sa duket, sovjetikët e përdornin emrin “Vdekja e Bardhë” për të përshkruar forcat finlandeze në përgjithësi, si dhe acarët e fortë.

Häyhä ra në qendër të vëmendjes së publikut kur ia dhanë një pushkë unike më 17 shkurt 1940 - një shpërblim për arritjet e tij në Kolla. Dorëzimi i çmimit u mbulua gjerësisht nga mediat finlandeze, duke e kthyer atë në një figurë heroike të gatshme për propagandë. Ai gjithashtu mori medalje dhe admiruesit dërguan dhurata, përfshirë dorashka dhe një orë xhepi.

Familja e tij dëgjoi për dorëzimin e pushkës në radio. Ata nuk kishin asnjë ide për suksesin e tij. Gjithmonë modest, ai nuk e kishte përmendur kurrë këtë në letrat që dërgoi në shtëpi.

Shërbimi i Häyhäs përfundoi më 6 mars 1940 në pyjet e Ulismainenit, kur një këmbësor rus e qëlloi në fytyrë me një plumb eksploziv. Plumbi ia shkatërroi faqen e majtë dhe ia theu nofullën. “Truri ende punonte”, përshkroi Häyhä më pas, “por, nuk mund të lëvizja asnjë pjesë të trupit”.

Mjekët u përpoqën ta ngarkonin në shpinë - mezi u rrotullua që të mos mbytej nga gjaku i vet. Ishte në koma për një javë dhe e rifitoi vetëdijen më 13 mars, ditën kur përfundoi Lufta e Dimrit.

Häyhä iu nënshtrua 26 ndërhyrjeve në fytyrëArkivi Ushtarak Finlandez

U përhapën thashethemet se Häyhä kishte vdekur. Madje, kjo u raportua në lajme. Ai e ruajti një copë gazete ku ishte shpallur vdekja e tij, me humor të mirë, dhe e minimizoi suksesin si snajper.

Si pjesë e traktatit të paqes, Finlanda dha 11 për qind të territorit të saj për Bashkimin Sovjetik, që përfshinte edhe tokën që i përkiste familjes së Häyhäs. Ky është sfondi për Sisu: Rruga drejt hakmarrjes - Korpi bart shtëpinë e tij pjesë-pjesë nga rajoni Kareli, që u pushtua nga sovjetikët, përtej kufirit të ri finlandez (natyrisht, duke masakruar sovjetikët gjatë rrugës).

Kur shpërtheu përsëri lufta me sovjetikët gjatë Luftës së Vazhduar (1941-1944), Häyhä nuk u lejua të kthehej në aksion. Ai iu rikthye bujqësisë dhe minimizoi reputacionin e tij si snajperi më i mirë në botë. Siç tha në një intervistë vetëm një vit para vdekjes: “Bëra atë çfarë kërkohej nga unë - sa më mirë që munda. Finlanda nuk do të kishte mbijetuar nëse të tjerët nuk do të kishin bërë të njëjtën gjë”. /Telegrafi/