Kafshimi i kobrës në grykë të demokracisë!
Kush u lag, kush u dogj dhe kush doli i terur nga zgjedhje lokale:
Zgjedhjet lokale në Kosovë, të parat pas shpalljes së pavarësisë së saj dhe në organizim të plotë të vendorëve përfunduan pa ndonjë problem të madh. Askush nuk pati vërejtje të mëdha, madje si çdo zhvillim tjetër në Kosovë pavarësisht rëndësisë, u shpallën si ngjarje historike! Po të ishte ndryshe nuk do të kishte kuptim sepse, si mund të ndodhë diçka në Kosovë e të mos jetë historike! Marrëzia nuk do të ishte komplete po të mos mbështeteshin me deklaratat e disa pushtetarëve dhe “miqve” ndërkombëtarë se sytë e krejt botës janë të drejtuar kah Kosova.
Merreni me mend, e tërë bota të merret me zgjedhjet lokale në Kosovë! Asnjeri normal nuk do të besonte po Kosova është vend i paradokseve, çdo gjë mund të ndodhë dhe në çdo gjë mund të besohet me një kusht të vetëm që të mos jetë e vërtetë! Pastaj, ishte vlerësimi i ndërkombëtarëve, “miqve”dhe atyre që janë të ngjashëm me këta se kosovarët e Halilit e dhanë testin e demokracisë me organizimin e këtyre zgjedhjeve. Madje edhe na notuan me nota më të larta, më duket se nuk e morëm 10 por një 9-të!
Po të ishte vlerësimi, notimi në përputhje me standardet në vendet ku vërtet çmohet dija dhe cilësia do ta kisha një arsye të madhe të mburrem me këtë fakt! Mirëpo, nëse kemi parasysh faktin se sistemi i vlerësimit në institucionet tona shkollore, akademike dhe të tjera nuk bëhet në bazë të dijes dhe përgatitjes profesionale por në bazë të kalibrit të armës që e merr me vete në provim apo shumës që e paguan atëherë ky notim më shumë i përngjan një përqeshjeje apo luajtjeje topesh me ne se një vlerësimi real!
Ndërkombëtarët e dinë shumë mirë se çka duhet të flitet që t’u pëlqej veshit të politikanëve vendorë dhe këtij populli andaj gjithmonë e lëshojnë muzikën që është e këndshme për veshin e tyre! Po çka i ha palla botës nëse në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale?! Në fakt, përqendrimi i ndërkombëtarëve ka qenë ekskluzivisht te votuesit serbë në Kosovë, se a do të dalin në zgjedhje, sa do të jetë numri i tyre dhe se a do ta dëgjojnë thirrjen e Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve apo jo! Andaj keni pasur mundësi të shihni se shumica e ndërkombëtarëve, qoftë si vëzhgues apo përfaqësues diplomatikë i kanë vizituar vendvotimet ku është dashur të votojnë serbët. Për këtë jemi notuar me notën 9.
Në anën tjetër në vendvotimet ku kanë votuar shqiptarët vota është vjedhur si në bushqe të babës! Sidomos për këshilltarë komunal. Në vende tjera kjo do të ndëshkohej rëndë, në Kosovë hajnia është biznes i lejuar madje edhe i përkrahur nga “miqtë” ndërkombëtarë. Vetëm pasi u publikuan rezultatet, të pakënaqurit filluan ta ngrenë zërin dhe kërkojnë drejtësi. Po të kishin fituar, as që do t’u ndihej zëri!
E pata bërë një analizë, para fillimit të fushatës se cilat do të jenë rezultatet e zgjedhjeve duke u përqendruar në disa lokacione të veçanta. Gjatë fushatës nuk jam prononcuar asnjëherë sepse nuk kam dashur të rreshtohem me shkrimet e mia prapa asnjë “force” politike. Dhe besoj se kam bërë mirë sepse e kam ruajtur neutralitetin ndaj zgjedhjeve si UNMIK–u, KFOR-i, OSBE dhe të tjerëve ndaj statusit të Kosovës!
Kam parashikuar se Isa Mustafa do të fitojë pa balotazh në Prishtinë, se në Podujevë do të fitoi Agim Veliu gjithashtu pa balotazh dhe se Mimoza Kusari do të humbë bindshëm në Gjakovë nga Pal Lekaj. Kam qenë i sigurt se LDK do të ketë një ngritje të lehtë ndërsa PDK një rënie të lehtë! Kam hyrë në gjynah me Nexhin në Mitrovicë të cilit i kam thënë se nuk ka fare gjasa të hyjë në balotazh. Madje kam shkuar në ekstrem duke i thëne Nexhit se nëse Thaçi i premton 300 milionë investime në Mitrovicë, Nexhi duhet t’i premtoi së paku 900 milionë ngase nuk ka kurrfarë gjasash që të zgjidhet kryetar i Mitrovicës andaj mund të mbahet në mend se, së paku në premtime ia ka kaluar Hashim Thaçit!
Gjithashtu kam thënë se koalicioni AKR-LDD nuk do ta fitojë asnjë komunë duke i sugjeruar një miku tim, që në procesin e decentralizimit të angazhohet që Mareci dhe Hajvalia të bëhen komuna të reja dhe në këtë mënyrë AKR do t’i kishte dy komuna të sigurta! Koalicioni AKR-LDD i ngjanë një situate kur një notues që nuk di të notojë fare bënë përpjekje ta shpëtojë një të mbytur dhe, si pasojë mbyten që të dy! Shumë më mirë do të kalonin po të garonin ndaras. Kështu, tani kanë mbetur në mëshirën e Hashim Thaçit!
Pse fitoi Isa Mustafa nuk ka nevojë të sqarohet fare por pse humbi Astrit Salihu pra?! Së pari, ai ishte kandidat vetëm sa për të thënë, nuk e kishte as përkrahjen e elektoratit të PDK në Prishtinë. Pastaj përdori një fjalor të rrugëve. Atë e “përkrahën” ose ia bënë prezentimin medial një grup gazetarësh llaskucë të prirë nga Shkëlzeni dhe të cilët më shumë janë marrë me pushkatime të porositura mediale të kundërshtarëve se me një gazetari të vërtetë! Me një fjalë kanë hëngër në të gjitha pjatat që u janë ofruar! Dhe mendoj se arsyeja kryesore e humbjes së Astritit ka qenë mosnjohja e gjeografisë, shumë vonë e ka kuptuar ku është lagja e Vranjevcit / Kodrës së Trimave/ dhe se kjo lagje është kryeqytet i Prishtinës sa i përket votave për kryetar të Prishtinës!
Ndërsa Mimoza ka humbur sepse e ka pasur një kundërkandidat që ka punuar shumë, pra Palin i cili ka shumë rezultate. Pastaj, me angazhimin e saj vetëm një muaj para zgjedhjeve si kandidate e koalicionit AKR-LDD ka krijuar hapësirë që kandidimit të saj t’i jepet një ngjyrim dhe përmbajtje tjetër. Sidoqoftë, po të fitonte Pali me një dallim prej 1% ose ta zëmë 2% atëherë edhe ndoshta do të dyshohej por dallimi prej 13% përqind nuk le asnjë dyshim! Andaj, urime zoti Pal Lekaj dhe këtij urimi është dashur t’i bashkëngjitej edhe Mimoza. E them se Palin e kam takuar vetëm një here në jetë ndërsa Mimozën e njoh një kohë më të gjatë andaj mendoj se jam shumë objektiv. Nuk kam asnjë arsye personale të veproj ndryshe.
Mimoza është duke gabuar duke bërë përpjekje t’i përgjasoj Edvin Ramës, me protesta, akuza dhe intervista po përpiqet ta kontestojë fitoren e Palit. Po i bllokon proceset demokratike, në emër të mbrojtjes së vlerave demokratike! Votën e Mimozës dhe të tjerëve është dashur t’i mbrojnë vëzhguesit partiakë dhe sidomos vëzhguesit e Koalicionit të Tinës, Demokracia në Veprim! Ata kanë dështuar totalisht! Lexues të nderuar, a keni dëgjuar që në ndonjë vend të botës, komisionet zyrtare të zgjedhjeve të dalin me rezultate preliminare para OJQ-ve që i monitorojnë zgjedhjet?! Kjo nuk ka ndodhur as në Zimbabvenë e Robert Mugabes, në Republikën e Kosovës po!
Jezu Krishti dhe Nesrin Lushta:
Çdokush që ka lexuar pak është i njoftuar për vuajtjet e Jezu Krishtit. Rrugëtimi përgjatë Rrugës së Dhimbjeve, “ Via Doloressa”, akuza për konspiracion dhe kryqëzimi i Krishtit kanë qenë pakrahasimisht më të vogla nëse krahasohen me vuajtjet që i ka pasur Nesrin Lushta gjatë përballjes me gazetarë! Zoti e shpërbleftë dhe i ndihmoftë!
A ka qenë i vështirë parashikimi i rezultateve:
Në çdo vend ku organizohen zgjedhjet bëhen matje të disponimit të elektoratit në bazë të të cilave bëhet një pasqyrim i gjeografisë politike postzgjedhore. Këto matje apo sondazhe bëhen me porosi, në të shumtën e rasteve dhe e kanë për qëllim t’i arrijnë e efektet e “ luftës së ftohtë”. Pra, më shumë duan ta dekurajojnë kundërshtarin duke mbjellë optimizëm të rremë për subjektin garues që e bënë porosinë për një sondazh të “ pavarur”.
Rëndom i kanë disa tregues që i marrin parasysh. Unë, në analizat e mia nuk jam mbështetur fare në këta tregues. Po t’i merrja për bazë paraqitjet e kandidatëve dhe premtimet e subjekteve garuese, gjithmonë do të dështoja në parashikimet e mia! E kam zgjedhur një mënyrë më të thjeshtë.
Kosovën e kam ndarë, jo në zona zgjedhore por në zona ku mafiozët politikë dhe ata të krimit të organizuar i kanë dhe i mbrojnë interesat e tyre! Si një treg i madh ku mafiozët i ndajnë zonat e ndikimit dhe ku çdo përpjekje për zgjerimin e zonave të interesit pa marrëveshje krijon turbulencë dhe thyerje të mëdha. Andaj nuk kam mundur të gaboj në parashikimin e rezultateve. Çdo rregull ka përjashtime andaj kërkoj falje ata që mund ta ndjejnë veten keq.
A po prishet, a po prishet:
Në orët shumë të vonshme të së enjtes cingëroi telefoni dhe më zgjoi nga një gjumë i lehtë i ngjashëm me atë që e bëjnë një numër i deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Së pari mendova se po më thërret ndonjë i burgosur meqë ata dinë të më thërrasin në atë kohë. Ishte megjithatë zëri i një miku tim i cili vazhdimisht më pyeste; ‘ çka po bohet, çka po bohet’. Pastaj më këshillonte të kyçem në programet e RTK-së.
Me ta aktivizuar RTK-në si nëpër mjegull dëgjoje se diçka po prishet dhe shumë herë përsëritej emir i Pacollit. Të them të drejtën fillimisht u gëzova sepse mendova se më në fund po shpërblehet angazhimi i Pacollit në fushën e lobimit dhe se pavarësinë e Kosovës e paskan njohur Kazakistani, Serbia dhe Rusia ku ndikimi i Pacollit nuk është i papërfillshëm! Ky entuziazëm u shua shpejt me të kuptuar se fjala qenka për prishjen e koalicionit PDK-LDK dhe formimin e një koalicioni të ri midis PDK-AKR-LDK si dhe pakicave! Formula qeveritare ishte projektuar: Hashim Thaçi, kryeministër, Behgjet Pacolli president dhe Nexhat Daci, kryetar i Parlamentit. Në ndërkohë më thirrën edhe disa miq që brengoseshin për zhvillimin e ngjarjeve. Unë i sugjerova të flenë dathë sepse nuk ka asgjë prej kësaj pune. Ju sqaroj pse e them këtë.
Koalicioni PDK-LDK është koalicion i Tinës, si Demokracia në Veprim, andaj nuk mund të prishet pa aminin e Dragodanit. Vetëm nëse Dragodani ka vendosur ndryshe! Pastaj, me prishjen e këtij koalicioni më së shumti forcohen LDK dhe sidomos AAK. Tutje, presidenti Sejdiu nuk mund të shquhet se ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj pozitës madje mund të llogaritet si një kuadër shumë i disiplinuar i saj! Thaçi është virtuoz i vërtet në menaxhimin e krizave apo shuarjen e zjarreve derisa edhe vet të bëhet hi. Nëse e vazhdon kështu, pashmangshëm do të bëhet hi dhe tregimin për ringritje politike si Feniksi do ta gjej vetëm në librin e përrallave!
Një burim fort i” besueshëm” më informoi se më në fund kanë vendosur t’i ulin bishtin partnerit të koalicionit ngase e kanë quar tepër lart dhe se nuk po dihet a është vërtet bisht apo antenë e IPKO-së, KUJTESËS apo VALËS! Sugjerimi im ishte se nëse ende nuk dinë gjë Delli, Fejti dhe Kermabo, të shpërndahen në shtëpi, t’u kthehen grave të tyre (së paku atëherë), në të kundërtën nuk jam edhe aq i sigurt se bishti i kujt do të ulet!
Ndërkombëtarët po e sakrifikojnë ligjin vetëm për ta ruajtur të qetë situatën e sigurisë andaj me asnjë kusht nuk do të lejonin që në vend të Jakup Krasniqit, si kryeparlamentar të instalohet Nexhat Daci, mburraveci i Preshevicës ngase ekziston rreziku potencial që Jakupi ta formojë (mobilizohet) një UÇK të re, jo për ta luftuar Serbinë dhe mbrojtur Kosovën, si në kohërat e Lavdisë së Madhe por për ta mbrojtur demokracinë e popullit- Parlamentin e Kosovës ku bënë pjesë edhe karrigia e tij!
Në fund të fundit, sot Kosova edhe e ka këtë kuptim, mbrojtja e interesit personal! Andaj nuk besoj në këto kombinime. Në fund të fundit, Gripi i Derrave është dhuratë e Zotit karshi Pacolli president!
Lutfi Haziri dhe Axel Rosis:
Axel Roses ka qenë frontmen i grupit Guns and Roses dhe mbahet mend se ia ka kajt nanën këtij grupi. Luta ka qenë dhe është nënkryetar LDK-së, edhe ky grup jo që nuk ka bërë muzikë hard rock por jo rrallë është marrë me muzikë tallava! E tillë është muzika – politika te ne!
Axeli dhe Luta nuk përngjajnë aspak fizikisht e duket as nuk kanë profil muzikor të ngjashëm. Një veti megjithatë e kanë të përbashkët, nëse Axel Roses e ka falimentuar bendin Guns and Roses pse këtë mos a bëj Lutfi Haziri me LDK-në.
Dhe, më besoni se nuk është pa gjasa, madje Jupiteri dhe Aresi janë në anën e tij!
Pse ndjehem i turpëruar:
Pasi e lexova një tekst autorial të Azem Vllasit në Koha Ditore për përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe krahasimin e rolit të tij në zhvillimet e mëvonshme e pranoj se jam krejtësisht i painformuar, budalla me një fjalë!
Unë kam menduar se Adem Demaçi dhe Adem Jashari kanë qenë ata që e kanë dashur dhe janë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, të shqiptarëve dhe popujve tjerë të robëruar por paskam qenë në lajthitje të madhe! Andaj duke i kërkuar falje publike Azem Vllasit po distancohem nga Adem Demaçi dhe Adem Jashari!
I kërkoj falje edhe shokut Tito, post mortem!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)


