Please enter at least 3 characters.

Julian Alvarez, në qendër të vëmendjes

Argjentinasi Julian Alvarez pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të përballjes së mbrëmjes së sotme mes Barcelonës dhe Atletico Madrid.

Sulmuesi konsiderohet objektivi kryesor ofensiv i klubit katalanas, i cili e sheh atë si pasuesin ideal të Robert Lewandowskit.

Ndeshja, që nis në orën 21:00, mund të shtojë edhe më tej rivalitetin në garën për titullin e La Ligës.

Takimi shërben gjithashtu që drejtuesit e Barcelonës ta shohin nga afër lojtarin që konsiderohet dëshira e tyre e madhe për afatin kalimtar të ardhshëm.

Klubi blaugrana ka nisur kërkimin për një zëvendësues të Lewandowskit dhe beson se Julian Alvarez, falë talentit, moshës 25-vjeçare dhe vlerësimit të hapur që ka treguar për klubin katalanas, është kandidati më i përshtatshëm.

Edhe pse sulmuesi është nën kontratë me Atletico Madrid deri në vitin 2030 dhe ka një klauzolë lirimi prej miliona eurosh, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i bindur se klubi do të gjejë hapësirën e nevojshme financiare, qoftë përmes shitjeve të lojtarëve, qoftë përmes aktivizimit të mekanizmave të tjerë ekonomikë, për të tentuar afrimin e tij.

Nga ana tjetër, Atletico nuk ka ndërmend ta thjeshtojë operacionin. Drejtori i ri i futbollit, Mateu Alemany, synon të përfitojë nga ardhja e pronarit të ri, Apollo, për të forcuar edhe më tej pozitat e klubit rreth yllit argjentinas. /Telegrafi/