Please enter at least 3 characters.

Ju rrëfej horrat

Adresa origjinale e horrave, sidomos atyre ballkanikë, është kafeneja e pistë e me shumë tym duhani. Aty është çerdhja, ku ata ndajnë me kolegët e tyre “profesionin” e vetëm - patriotizmin folklorik, vulgar, primitiv, që në të gjitha rastet është vetëm deklarativ, kurrë i dëshmueshëm. Megjithatë, në këto ditë të teknologjisë moderne, horrat e kanë lënë tymin e dendur të kafeneve dhe kanë braktisur “pevaćicat” e tyre të preferuara. Ata kanë tani një adresë tjetër për të treguar patriotizmin e tyre – gjithmonë vetëm me fjalë, sepse ata nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Dhe ja pse!

Horrat kurrë nuk kanë dëgjuar të vjetrit dhe as kanë lexuar një libër. Nuk dinë asgjë për historinë botërore dhe as për atë shqiptare. Ata kurrë nuk lexuan për pelllazgët e as për ilirët. Kurrë nuk i kanë kuptuar historitë e perandorive të mëdha. Kurrë nuk morën mundimin të mësojnë për mesjetën e paraardhësve tanë. Vetëm kanë dëgjuar të përmendet, por nuk e kanë lexuar kurrë as Marin Barletin e asnjë nga autorët që ka shkruar për Gjergj Kastriotin. Nuk dinë asgjë për fillet e shkrimit shqip e as për shkrimtarët e vjetër. As për Rilindjen Kombëtare nuk kanë lexuar asnjë shkronjë, vetëm kanë dëgjuar të tjerët duke e përmendur. Historinë nga Lidhja e Prizrenit e këndej e kanë “bluar” në katedrën e tyre – kafenenë – kurrë pa lexuar diçka të hajrit për të. Pastaj, historinë më të re të shqiptarëve e kanë mësuar nga horrat më të vjetër, që ashtu si ta, nuk e kanë lexuar diku, por e kanë dëgjuar nga shokët (horrat) edhe më të vjetër.

Për pak kohë sa kanë qenë në shkollë, horrat kurrë nuk e kanë kaluar klasën në qershor. Horrat kurrë nuk kanë qenë nxënës të dallueshëm, bile në diçka. Ata kurrë nuk kanë qenë kryetarë klase, bie fjala. Kurrë nuk kanë qenë as arkatarë klase, që t’u besohen bile pak para që të blihet një top futbolli me to. Ata kurrë nuk kanë qenë as në ekipin e klasës në futboll apo çfarëdo sporti. Aktivitetet e lira, që aq shumë i brumosin të rinjtë me kulturë të përgjithshme, janë të panjohura për horrat. Ata nuk kanë pasur asnjë veçori që të dallohen diku. Asnjë! Kurrë! Vetëm kur kanë ndodhur ngjarje politike, ata kanë vrapuar që të shohin e të shihen. Vetëm në to, ata kanë treguar “vlerat” e veta. Dhe atë vetëm në fillim, jo kur fillonte të “hahej pasuli nga një kokërr”.

Vite më herët, horrat na kritikonin se nuk po dalim sa duhet në demonstrata. Ne, të rinj e të vjetër, u arsyetoheshim atyre (paramendoni kujt) se po dalim dhe do të dalim. Megjithatë, kur fillonin demonstratat dhe dhuna që nënkuptohej me to, horrat tashmë ia kishin mbathur. Nuk ishin askund. Pastaj, erdhi koha e Lidhjes Demokratike. Me kompetencë, që s’di se kah e huazonin, na urdhëronin se duhet t’i bashkangjitemi. Ne, me dëshirë të madhe, vullnet e energji iu bashkangjitëm lidhjes, me shpresa reale që ajo do të na drejtonte drejt pavarësisë. Shumë shpejt, pas kësaj, kur ata që punonin në dhe për LDK-në u bënë caqe të dhunës, horrat u larguan me panik dhe filluan të hedhin gurë e dru në këtë klasë intelektuale. Kur institucionet po punonin për këtë vend, ata tani thonin se lëvizja nuk ishte sa duhet aktive. Kur mërgata shqiptare jepte miliona për arsimin dhe institucionet tona, horrat paguanin tre për qindëshin vetëm nëse “emri do t’u dilte në gazetë”.

Më vonë, pak para daljes në skenë të UÇK-së, horrat filluan të na kritikonin pse nuk vishemi menjëherë me uniformat e ushtarit. Me pushkë gjuetie dhe me pistoleta, që s’gjuanin më shumë se pesëdhjetë metra, ne dolëm, po horrat nuk ishin. Ky popull iu bashkangjit UÇK-së dhe filloi, në takat të vetin, të luftojë për liri. Trimat e treguan veten në logun e burrërisë. Megjithatë, horrat nuk u panë më. Kur kaloi furtuna dhe kur krismat u ndalën, horrat u paraqitën prapë. Na thanë se ata janë të fortit, ata kishin sakrifikuar aq shumë dhe, për këtë, tash duhet t’i duam e t’i respektojmë. Çdo tis dyshimi nga ana jonë, neutralizohej nga të tjerët, që më vonë dolën se janë shokë të tyre dhe për pasojë, horra edhe vetë.

Pastaj filluam të punojmë për një jetë më të mirë dhe, për një kohë, menduam se mbetëm pa horrat. Asnjë shenjë nga kjo sortë e poshtër. Thamë se u çliruam nga ta. Nga retorika monotone, nga patriotizmi i rremë, nga folklorizmi, nga primitivizmi i tyre. Kur, s’ishte e thënë, tash viteve të fundit, në vend të kafenesë së vjetër me tym cigareje, horrat po na paraqiten nga një adresë tjetër. Dhe kjo strehë, deri më tani, ju ofron kushtet më specifike që ata do të mund t’i kërkonin ndonjëherë.

Të fshehur pas anonimatit që u ofron teknologjia e internetit, horrat po na paraqiten nga komentimet online. Pa pasur frikë që do të njihen se kush janë, ata po bëhën më aktivë se kurrë. Të strukur pas një kompjuteri, horrat tanë kanë gjetur mënyrën se si të na tregojnë “vlerat” e tyre kombëtare. Me komentet e tyre online, ata po bëjnë përpjekjen e fundit, që të na bindin. Çuditërisht dhe çmendurisht, ata presin nga ne që t’u besojmë se janë patriotë të mëdhenj dhe nacionalistë të thekur. Ata dhe vetëm ata e dinë se çka është shqiptaria, si është ruajtur ajo dhe si duhet të ruhet tani. Vigjilentë, të patrembur (hahaha), enciklopedikë (ata i dinë të gjitha) dhe të palodhur, ata rrinë tek kompjuterët modernë dhe, të fshehur pas tyre, e lodhin këtë popull me atdhedashurinë, që tash e kuptuam, qenka e drejtë dhe pronë e tyre e patjetërsueshme.

Komentimi online në portalet shqip të internetit, pra, është adresa aktuale e horrave. Në dëshpërim të thellë, të frustruar pse kurrë nuk mund të shkruajnë diçka të veten dhe nën strehën e patriotizmit fals e nacionalizmit primitiv, ata po ngrysin ditët, në përpjekje të na dhurojnë vlerat, që vetëm ata i paskan – duke shkruar paragrafë të mjerueshëm ku spikat mungesa elementare e dijes, jo vetëm gjuhësore. Prandaj, ju shqiptarë të tjerë, që nuk jeni të pajisur me këto vlera (!?), duhet të shpejtoni, që të merrni këshillat e çmuara të këtyre horrave. Sepse, shumë shpejt, ata do ta ndërrojnë adresën. Ndoshta do ta ndërrojnë edhe lëkurën. Mirëpo, vetëm një gjë nuk mund ta ndërrojnë: këtë popull, i cili i njeh shumë mirë. Duhet ta kuptojnë një herë e mirë: ky popull i njeh horrat dhe ua njeh dashurinë që ata kanë për këtë vend! Pse po lodhen kot?!