Jotova: Maqedonia e Veriut të ndjek politikën evropiane, nuk po i zbaton detyrimet e vitit 2022
Rruga e bllokuar e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut u rikthye në vëmendjen e opinionit publik bullgar, pasi ushtruesja e detyrës së presidentes së Bullgarisë, Ilijana Jotova, e përmendi vendin tonë gjatë takimit me kryeministrin sllovak Robert Fico.
Siç raportojnë mediat bullgare, Jotova dhe Robert Fico kanë diskutuar edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ata kanë qenë të prerë se procesi i anëtarësimit duhet të zhvillohet sipas rregullave dhe në bazë të arritjeve të vendeve kandidate.
“E dini se kemi disa probleme me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe anëtarësimin e saj në BE. Kërkojmë mbështetjen tuaj që Maqedonia të ndjekë politikën evropiane të anëtarësimit. Për katër vjet nuk kemi parë përparim në zbatimin e detyrimeve të marra nga Maqedonia e Veriut në vitin 2022”, ka deklaruar Jotova në takim, shkruan agjencia “BTA”.
Maqedonia e Veriut e mori statusin e vendit kandidat që në vitin 2005, por procesi i anëtarësimit është bllokuar disa herë – fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë, e më pas për shkak të vetos bullgare. Pas miratimit të të ashtuquajturit propozim francez në vitin 2022, filloi procesi i skriningut, por hapja e klasterit të parë varet nga ndryshimet kushtetuese.


