John le Carré dhe babai mashtrues që skaliti romanet e tij të spiunazhit
Fëmijëria e autorit u trondit nga falimentimi dhe mashtrimi. Në vitin 2008, ai i tha BBC-së se "prejardhja e tij e trazuar" e kishte përgatitur të bëhej shkrimtar - dhe spiun.
Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: 'His life was one of fantasy': How John le Carré's spy novels were shaped by his con-man father)
Përkthimi: Telegrafi.com
David Cornwell ishte i zhytur në fshehtësi gjatë gjithë jetës së tij - shumë kohë përpara se të merrte pseudonimin John le Carré, shumë kohë përpara se romani i tij i parë, Call for the Dead [Thirrja për të vdekurit], të botohej në qershor të vitit 1961 dhe shumë kohë para se të bëhej një nga romancierët britanikë të spiunazhit - më të vlerësuar nga kritika dhe më të shitur. Ai mësoi mashtrimin dhe mbështetjen te vetja që në moshë të hershme, duke kujtuar më vonë një episod të veçantë nga fëmijëria me vëllain e tij më të madh, në fillim të një dite pushimi nga shkolla.
"Babai ynë na tha të prisnim në fund të rrugës hyrëse të shkollës sonë konviktore në Berkshir. Arsyeja pse ai nuk donte të paraqitej në shkollë ishte se nuk e kishte paguar faturën, por ne nuk e dinim këtë”, i tha Le Carré BBC-së në një intervistë të vitit 2008. "Kështu që pritëm te porta në fund të rrugës hyrëse të shkollës, me valixhet tona. Por, ai nuk u shfaq kurrë”.
Të zhgënjyer nga babai i tyre, Ronnie Cornwell - një mashtrues që hynte dhe dilte vazhdimisht nga burgu gjatë fëmijërisë së tyre - djemtë bënë çfarë mundën për të ruajtur dinjitetin përpara shokëve të shkollës. "Thjesht qëndruam larg gjatë gjithë ditës. Nuk kishim ushqim. Nuk kishim para. Por, nuk ktheheshim në shkollë. U kthyem në mbrëmje dhe u shtirëm sikur kishim kaluar një ditë të mrekullueshme”.
Ishte hera e parë që ai kujtonte se ishte zhgënjyer nga babai i tij - megjithatë, kjo i mësoi edhe diçka që më vonë do t'i hynte shumë në punë. "Është shumë interesante në kuptimin e spiunazhit: takimi i paracaktuar dështon. Ti sajon një histori mbuluese. Kthehesh dhe shtiresh”.
Si fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa djemtë e tjerë në shkollën e tij flisnin për të bëmat guximtare të baballarëve të tyre, Le Carré shpiku një jetë të dyfishtë. "Ai u rrit në një kohë kur ajo që kishte bërë babai yt gjatë luftës kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe”, i tha BBC-së në vitin 2015, biografi i tij Adam Sisman. "Ai ndihej në siklet për babanë e tij ... [i cili] ishte më turpshmi nga të gjithë; ai ishte një spiv [një mashtrues i vogël që shiste mallra në tregun e zi]. Ai përfitonte nga lufta, ndërsa baballarët e djemve të tjerë kishin shkuar të luftonin”. Për ta fshehur këtë, Le Carré shpikte histori se Ronnie ishte spiun.
Kjo marrëdhënie e ndërlikuar me heroizmin u pasqyrua në romanet që ai shkroi. Personazhi i tij kryesor i përsëritur, Xhorxh Smajli, ishte "anti-Xhejms Bond " - dikush që "në aspektin burokratik nuk ka shije, rrallë shihet në terren ... i matur deri në pikën e fshirjes së vetes", sipas The Atlantic. Ai "nuk jep batuta të zgjuara, nuk josh lexuese të letrave tarot dhe nuk përshkon kënetat me skafe me shpejtësi të lartë". Le Carré shmangu qëllimisht shkëlqimin e makinave të shpejta që karakterizon Bondin, duke i thënë BBC-së se "e bëra topolak, fizikisht të ngathët dhe të veshur keq".
Në romanet si The Spy Who Came in from the Cold [Spuni që erdhi nga i ftohti, 1963], Le Carré - i cili vdiq në vitin 2020 në moshën 89-vjeçare - u përqendrua te realiteti i zakonshëm i spiunazhit. Ishte një realitet që ai e njihte nga përvoja e drejtpërdrejtë, pasi kishte punuar si oficer i shërbimit sekret britanik në MI5 dhe më pas në MI6 që nga viti 1952 - pasi ishte larguar nga shkolla konviktore dhe kishte përfunduar në Bernë.
Një "psikopat" që i donte djemtë e vet
Edhe një herë, babai i tij ndikoi drejtpërdrejt në karrierën e tij. "Po të mos kisha pasur një baba kaq të papërmbajtur, nuk do të isha larguar”, i tha ai BBC-së. "Po të mos më kishte çuar babai në Shën Moric për të bërë ski në vitin 1936, Zvicra nuk do të ishte ngulitur në kujtesën time si një vend romantik ku mund të shkoje - një lloj i vendit të natyrshëm për ekzil”.
Dhe, sipas Sismanit, kjo marrëdhënie e ndërlikuar me babanë e tij vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. "Ronnie nuk njihte kufij - në shumë drejtime ai ishte një psikopat. Ishte një njeri i aftë t'u grabiste grave të moshuara kursimet e jetës. Në të njëjtën kohë, ai ashiqare i donte djemtë e vet”.
Ndërsa nëna e braktisi kur ai ishte pesë vjeç, Ronnie mbeti pjesë e jetës së tij, ndonëse në mënyrë të çrregullt. "Sa herë që Ronnie, në vitet e mëvonshme, kontaktonte Davidin dhe i thoshte: 'Bir, kam nevojë të më nxjerrësh nga kjo situatë', Davidi zgjaste dorën drejt bllokut të çeqeve dhe shpesh shpërthente në lot", ka thënë Sismani. "Kështu, Davidi kishte këtë marrëdhënie të çuditshme dashuri-urrejtje me babanë e tij, e kishte këtë çështje të pazgjidhur”.
Le Carré e pranonte se Ronnie jo vetëm që i mprehu aftësitë në zanatin e spiunazhit, por edhe ndikoi në librat që ai shkroi dhe në aftësinë e tij për të krijuar botë të trilluara. Duke ardhur nga një familje e respektuar në Bornmuth, Ronnie hyri për herë të parë në burg që në rininë e tij, përpara se të dënohej me punë të detyruar. "Që nga ajo kohë, ai bëri një jetë jashtëzakonisht ekstravagante", tha Le Carré. Duke e rishpikur vazhdimisht veten, Ronnie "u bë pronar kuajsh gare. Shoqërohej me anëtarë më të rinj të familjes mbretërore ... [kishte] një Bentley me shofer dhe gjithë ato gjëra”.
Lidhur me pyetjen nëse Le Carré ishte një shkrimtar që u bë spiun për një periudhë të shkurtër apo një spiun që i shndërroi përvojat e tij në romane, ai tha: "Nuk do ta di kurrë ... Por, mendoj se, në të vërtetë, pas të dyjave qëndron hija e madhe e babait tim dhe jeta e dyfishtë që bënim si fëmijë, kur e dinim se, kur mbushnim makinën me karburant në pikën lokale të furnizimit, ajo nuk do të paguhej kurrë, ndërsa ne shtireshim sikur jetonim si djem anglezë të shtresës së mesme. Shkonim në shkollë. Nuk flisnim për prejardhjen tonë të trazuar. Kështu që, në njëfarë kuptimi, ne ishim spiunë”.
Megjithëse të gjithë anëtarët e familjes së babait të tij flisnin me theks rajonal, sapo Le Carré hyri në një shkollë private, ai përvetësoi mënyrën e të folurit të bashkëmoshatarëve të tij. "Dhe, fillova të mësoja sjelljen dhe të gjitha mënyrat e çuditshme se si ... njerëzit e asaj shtrese shoqërore komunikojnë me njëri-tjetrin. Nuk u ndjeva kurrë pjesë e saj, por mendoj se, gjithsesi, shumë njerëz kreativë nuk ndihen të integruar në jetë”.
Aftësia e tij për të krijuar letërsi spiunazhi - dhe për të bërë një jetë të dyfishtë - u ndikua, nga ana tjetër, nga zgjedhja e babait të tij për të "jetuar një jetë kriminale, por nën petkun e respektit". Ai kujtonte: "Jeta e babait tim ishte një jetë fantazie; ai ishte një mashtrues i përsosur dhe mund të ndërtonte kështjella në ajër, të shpikte personazhe, çfarëdo qoftë. Meqenëse kjo dhunti ishte tashmë një shembull për mua, kalimi te shkrimi i letërsisë ishte diçka krejt i natyrshëm”.
"Shtëpia ishte një vend shumë i rrezikshëm"
Edhe mënyra si ishte rritur përcaktoi llojin e letërsisë që do të shkruante, të mbushur me personazhe të përfshirë në konflikte morale, ku askujt nuk mund t'i besohej. "Shtëpia ishte një vend shumë i rrezikshëm, ashtu siç ishte për Xhorxh Smajlinn, ashtu siç është për shumicën e protagonistëve të mi në atë botë”, i tha ai BBC-së. "Shtëpia është vendi ku mund të të gjejnë; shtëpia është vendi ku vijnë të të arrestojnë; shtëpia është vendi ku vijnë përmbaruesit dhe t'i nxjerrin jashtë lodrat dhe rrobat”. Ai tension bëri që Le Carré të thoshte se nuk ndihej kurrë i sigurt. "Pasiguria është një shkëndijë e mrekullueshme për të shkruar”.
Le Carré krijoi zhanrin e tij të letërsisë së spiunazhit, ku personazhet e tij vinin në dyshim vetveten dhe metodat amorale të agjencive për të cilat punonin. Është një botë krejt tjetër nga ajo e 007-shit të Ian Flemingut. "Nuk jam i sigurt se Bondi është spiun”, i tha Le Carré BBC-së në një intervistë të vitit 1966. "Ai është më tepër një lloj gangsteri ndërkombëtar ... është një njeri krejtësisht jashtë kontekstit politik”. Në anën tjetër, romanet e Le Carréit ndriçonin fushëbetejën ideologjike të Luftës së Ftohtë, ku panorama politike luante po aq rol sa edhe vetë spiunazhi.
Ato paraqisnin gjithashtu një varg personazhesh thellësisht të vetmuar, ndërsa autori e përshkruante The Spy Who Came in from the Cold si "një histori vetmie". Edhe vetë Le Carré e ndiente afër këtë përvojë, pasi vetmia e tij pasqyrohej në faqet e librave. "Gjendja e fshehtësisë ishte një strehë për mua”, tha ai në vitin 2008.
Megjithëse Le Carré i pranonte plagët që i kishte lënë fëmijëria e tij e pazakontë, ai e vlerësonte atë që ishte ngulitur tek ai që në moshë të vogël. Dhe, pavarësisht traumës së zhgënjimit të vazhdueshëm nga babai i tij, Cornwelli ia atribuonte Ronniet një pjesë të madhe të suksesit të tij të mëvonshëm.
"Në retrospektivë, kombinimi i periudhave ekzotike të jetës me babanë tim, pastaj ndërprerjet e trazuara kur ai ishte i falimentuar ose ndodhej diku në burgjet e Madhërisë së Saj, larmia dhe përmasa e përvojave, ishin jashtëzakonisht të pasura. Të gjitha këto ndikuan në mënyrën se si shkruaj dhe në ndjenjën e tensionit nga e cila nuk arrij të çlirohem kurrë. U jam mirënjohës këtyre trashëgimive. Shpesh citoj Graham Greenein: 'Bilanci aktiv i shkrimtarit është fëmijëria e tij' - dhe, në këtë kuptim, unë isha milioner”. /Telegrafi/


