Jet Ski-ja rrezikoi pushuesit në Karaburun, gjobitet drejtuesi me 500 mijë lekë
Policia Kufitare në Vlorë ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, pasi kishte shkelur perimetrin e sigurisë duke rrezikuar pushuesit në zonën e Karaburunit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ndërhyrja u bë pas raportimeve dhe një videoje të dërguar nga qytetarët, ku shfaqej Jet Ski-ja duke lundruar në afërsi të bregut, në kundërshtim me rregullat e sigurisë.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, arritën të konstatojnë dhe ndalojnë mjetin lundrues teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.
Pas verifikimeve, mjeti lundrues u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet E.U., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj.
Policia e Shtetit u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare. /Telegrafi/


