Javë me diell, temperaturat deri në 25°C
Kjo javë pritet të karakterizohet me mot kryesisht të qëndrueshëm në vend, ku do të dominojnë intervalet me diell të alternuara me vranësira të shpërndara.
Sipas parashikimeve, vetëm dita e premte mund të sjellë riga të dobëta shiu në disa zona.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1°C deri në 8°C, me vlerat më të ulëta të përqendruara kryesisht në viset malore. Ndërkaq, temperaturat maksimale pritet të arrijnë nga 18°C deri në 25°C.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.
Këto kushte meteorologjike konsiderohen të favorshme për sektorin e bujqësisë. Rritja e temperaturave dhe prania e rrezatimit diellor ndikojnë pozitivisht në proceset vegjetative, duke nxitur zhvillimin e kulturave pranverore.
Po ashtu, lagështia e tokës mbetet në nivele të kënaqshme falë reshjeve të mëparshme, duke krijuar kushte të mira për mbirjen dhe rritjen e kulturave të sapombjella.
Megjithatë, fermerët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar në fillim të javës, pasi temperaturat e ulëta minimale mund të paraqesin rrezik për ngrica të vona, veçanërisht në zonat malore dhe vendet e ulëta.
Për ditën e hënë parashihet mot kryesisht me diell, ndërsa vranësira të shpërndara do të jenë më të pranishme në relievin malor. Temperaturat minimale do të sillen nga -1 deri në 2°C, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 22°C.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 3 metra në sekondë. /Telegrafi/


