Janevska: Me mbështetje qeveritare prej 7 milionë euro, po përmirësohet infrastruktura arsimore në Manastir
Në lagjen Bukovski Livadi në Manastir po zhvillohen aktivitete për adaptimin e një objekti që deri në fund të vitit do të shndërrohet në shkollë të re vartëse të SHFK “Kole Kaninski”. Bëhet fjalë për një investim me vlerë 31 milionë denarë, i cili po realizohet nga vetëqeverisja lokale me mbështetje të Qeverisë. Sot, punimet i inspektuan kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski.
Janevska theksoi se Qeveria vazhdon me investime intensive në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me qëllim që të gjithë nxënësit të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor, pavarësisht se ku jetojnë.
“Urime për këtë investim të rëndësishëm të komunës së Manastirit, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë. Është e rëndësishme të ndërtohet aty ku ka nevojë reale, të përmirësohet infrastruktura arsimore dhe kudo të krijohen kushte për arsim cilësor. Me adaptimin e këtij objekti, i cili do të ketë pesë klasë, bibliotekë dhe hapësira sanitare, përfshirë edhe për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, fëmijët e lagjes Bukovski Livadi do të mund ta përfundojnë arsimin fillor në vendbanimin e tyre, në vend që çdo ditë të udhëtojnë në zona të tjera. Kështu u kursejmë kohë dhe u mundësojmë të përkushtohen më shumë në mësim dhe të arrijnë rezultate edhe më të mira”, deklaroi Janevska.
Ministrja theksoi se ky është vetëm një pjesë e ciklit të rëndësishëm investues që po realizohet në Manastir me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Komuna nuk është e vetme në përpjekjet për arsim më të mirë. Janë siguruar mjete për rreth 15 investime infrastrukturore. Ministria tashmë ka përfunduar rikonstruksionin e sallës sportive në SHFK ‘Elpida Karamandi’, është në ndërtim një nga tre sallat e reja sportive shkollore, po finalizohet ndërtimi i shtatë fushave sportive shkollore, do të rikonstruktohen katër shkolla, ndërsa nga viti i ardhshëm fillon rikonstruksioni i konviktit studentor ‘Koço Racin’. Bëhet fjalë për një cikël investimesh me vlerë mbi 450 milionë denarë, pra më shumë se 7 milionë euro, me të cilin do të përmirësohen ndjeshëm kushtet për arsim dhe sport në Manastir”, theksoi Janevska.


