Please enter at least 3 characters.

Jam zgjuar me këmbë të majtë, më dhemb e djathta

A e dini se pse tek ne nuk ka interesim për sportet ekstreme? Kjo është një përgjigje shumë e thjeshtë - "si të mbijetohet këtu" - është bërë sporti ekstrem më i popullarizuari, të gjithë ne jemi duke ushtruar në të njëjtin ritëm.

Ta sqarojmë që në fillim, nuk po them se për ne këtu është shumëëë keq, në fakt ne nuk jemi shumë larg standardeve evropiane - sot është e mjaftueshme për ne të kalojmë kufirin me pasaportën biometrike dhe, Ja Evropa, ja standardet.

Mirëpo..Shtrohet pyetja, çka do të mbesë këtu, ku do të mbetet shumica?

Tranzicioni këndejpari edhe më tej po vazhdon, e shoh nga ajo se ka të punësuar diku-diku. Puntorët nuk marrin rroga që të papunët të mos ndjehen keq. Kur neve të gjithëve në mënyrë grupore të na quajnë të papunë, atëherë ndoshta do të na kalojë tranzicioni.

Mund të ju them se interneti dhe teknologjia është një zbulim më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë. Ai përnjëmend na ka ndryshuar realitetin. Na ka hapur sytë, pasi menjëherë kemi parë shkretëtirën rreth nesh.

Lirisht mund të themi se tani ndjehemi më të ri, sot jetojmë si studentët dikur - jetojmë nga kreditet. Tani borxhet nuk llogariten për kokë të banorit, pasi edhe nuk ka aq kokë banori. Por, nuk jemi fajtor që jemi në një tunel pa dalje - ky është një projekt i gabuar.

Sot njerëzve ushqimi nuk i shërben për të mbushur barkun, por për ta mashtruar urinë. Shtrenjtimet e fundit që po bëhen qytetarët aq që do ta ndjejnë, pasi deri tani as që kanë blerë. Kjo në një mënyrë ka filluar të na pëlqejë kur po shohim se çka po ndodh, andaj edhe nuk po mund të i besojmë syve tanë.

Po të ishin politikanët tanë bleta, ne do të mbyteshim në mjaltë, pasi ka shumë. Mirëpo, atyre kur ti bjerë sëpata në mjaltë, ata më nuk prenë drunj.

Në çdo zgjedhje këtu, fiton më i miri, mirëpo qysh në zgjedhjet e ardhshme tregojnë fotografinë reale. Të gjithë punojnë në interes të qytetarëve, vetëm se disa i ngatërrojnë interesat e veta dhe ato personale. Atë çka kanë bërë për ne për katër vite nuk arrijnë as ta paketojnë mirë raportin mbi punën që e kanë bërë për atë mandat.

Tani jetojmë në demokraci. Andaj neve na mbetet të vendosim se si do të jetë ardhmëria jonë. Thonë se politikan i keq është ai që mendon në zgjedhjet e ardhshme, kurse i mirë ai që mendon në gjeneratat e ardhshme, e ky është dallimi kryesor, duhet ta pranoni.

Unë mendoj se të gjithë ata politikanë që mendoni se janë të këqij, janë zgjedhur nga qytetarët e mirë që nuk kanë dalë në zgjedhje.
Andaj, në të ardhmen, në vend se të thuash: vota ime asgjë nuk do të ndryshojë, thuaj: Vota ime asgjë nuk dëmton.

Por, çka nëse nesër bëhet më mirë? Do ta mbijetojmë edhe atë, me siguri.

(Autori është redaktor përgjegjës i ueb-faqes presheva.com)