Please enter at least 3 characters.

"Jam transgjinore" - vajza e Robert De Niros del hapur: Lulëzova vonë, por tani jam vetvetja

Airyn De Niro, 29-vjeçare, vajza e aktorit të famshëm Robert De Niro dhe ish-partneres së tij Toukie Smith, ka dalë hapur për identitetin e saj gjinor në një intervistë për revistën Them, duke zbuluar se ka nisur tranzicionin për t’u identifikuar si një grua transgjinore.

“Ndihem si një person që lulëzon vonë,” ka rrëfyer Airyn, duke shtuar se këtë pjesë thelbësore të identitetit e ka zbuluar vetëm në një fazë më të vonë të jetës së saj.

Ajo tregoi se ndjenja e lidhjes me identitetin e saj të ri është ndikuar fuqishëm nga gratë me ngjyrë – përfshirë nënën e saj, e cila është afrikano-amerikane. “Mendoj se krenaria për ngjyrën time më afroi më shumë me këtë version të vetes”, tha Airyn.

Edhe pse që në shkollë të mesme ajo kishte shprehur një identitet më femëror përmes mënyrës së veshjes dhe sjelljes, procesin e tranzicionit fizik e ka nisur vetëm në nëntor të vitit 2024, me fillimin e terapisë hormonale.

“Një pjesë e imja ende shqetësohet se si do të më shohë familja, nëse do të më pranojnë për atë që jam sot”, ka thënë ajo me sinqeritet.

Airyn është frymëzuar nga figura të njohura të komunitetit transgjinor si Laverne Cox, Michaela Jaé Rodriguez dhe Jools Lebron. Në fillim të rrugëtimit të saj, ka përdorur përemrin “ata” për t’u përfaqësuar në mënyrë neutrale në publik, para se të ndjehej gati të shpallte identitetin e saj si grua.

Në intervistë, ajo ka ndarë edhe mendimet e saj për jetën si një nga shtatë fëmijët e një ikone të Hollivudit. “Ka një ndryshim të madh mes të qenit i dukshëm dhe të qenit i parë vërtet,” theksoi ajo. “Unë nuk kam qenë pjesë e botës së filmit. Nuk kam shkuar në premiera, as në takime me producentë. Babai gjithmonë na ka shtyrë të gjejmë vetë rrugën tonë”.

Airyn, e cila ka një vëlla binjak të quajtur Julian, ka shprehur dëshirën për të ndërtuar një karrierë si këshilluese për shëndetin mendor dhe thotë se dëshiron që suksesi i saj të vijë nga përpjekjet dhe vlera e saj personale – jo nga mbiemri i njohur që mban. /Telegrafi/