Please enter at least 3 characters.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar" - Besnik Krasniqi flet për suksesin historik të Dritës

Futbollisti i Dritës, Besnik Krasniqi, ka shprehur gëzim të jashtëzakonshëm pas kualifikimit historik të klubit të tij në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Krasniqi ishte protagonist në ndeshjen e kthimit të play-offit në Luksemburg, duke shënuar golin e fitores që vulosi triumfin e gjilanasve.

Drita fitoi të dyja ndeshjet e play-offit ndaj Differdanget – 2-1 në Prishtinë dhe 1-0 në Luksemburg, duke siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve evropiane.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar. Ishim pak në presion, pasi e kemi ditur se është natë historike. Dhe ia arritëm. Jam shumë i lumtur për tifozët e Dritës. Po ashtu për presidentët që kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe e kanë merituar këtë”, ka thënë Krasniqi.

Lojtari e ka vlerësuar këtë si suksesin më të madh të karrierës së vet, ndërsa shtoi se në grupe do të bëjmë lojëra shumë më të mira.

“Është suksesi më i madh në karrierën time. Por ky nuk është fundi. Kemi ende punë. Në grupe do të jemi më të qetë dhe do të bëjmë lojëra shumë më të mira. Si favoritë kishim një lloj presioni, por e menaxhuam mirë dhe në fund u shpërblyem. Falënderoj tifozët dhe familjen time”, ka nënvizuar Krasniqi. /Telegrafi/