Please enter at least 3 characters.

Ja kush është lojtari i sezonit në Ligën e Kampionëve - vjen nga fituesi

UEFA e ka shpallur yllin e Paris Saint-Germainit, Khvicha Kvaratskhelia, si "Lojtarin e Sezonit 2025/26" në Ligën e Kampionëve, pas paraqitjeve vendimtare në rrugëtimin e kampionëve francezë drejt trofeut.

Sipas UEFA-s, çmimi është ndarë nga Grupi i Vëzhguesve Teknikë (UEFA Technical Observer Group), i cili vlerësoi ndikimin e anësorit gjeorgjian gjatë gjithë edicionit.

Kvaratskhelia e mbylli sezonin në Ligën e Kampionëve me statistika të jashtëzakonshme: 16 paraqitje, 1,141 minuta, 10 gola dhe 6 asistime. Ai po ashtu përshkoi 124.17 km gjatë ndeshjeve, ndërsa shpejtësia maksimale e regjistruar ishte 33.7 km/h.


UEFA thekson se Kvaratskhelia ishte ndër lojtarët kyç në triumfin e PSG-së, që fitoi titullin e dytë radhazi në këtë garë, duke shkëlqyer sidomos në krahun e majtë me paraqitjet e tij.

Ai pati rol të rëndësishëm edhe në finale ndaj Arsenalit, kur u rrëzua në zonë nga Cristhian Mosquera, duke fituar penalltinë që Ousmane Dembélé e shndërroi në gol për barazimin 1-1.

Një nga paraqitjet më të spikatura të Kvaratskhelias erdhi në gjysmëfinalen e paharrueshme ndaj Bayern Munich, në ndeshjen e parë të fituar 5-4, ku ai shënoi dy herë, fillimisht me një goditje të bukur për 1-1, e më pas me një gjuajtje të fortë në pjesën e dytë për të kompletuar dopietën.


Fituesit e mëparshëm të çmimit “Lojtari i Sezonit” në Ligën e Kampionëve: 2024/25: Ousmane Dembélé (PSG), 2023/24: Vinícius Júnior (Real Madrid), 2022/23: Rodri (Manchester City) dhe 2021/22: Karim Benzema (Real Madrid). /Telegrafi/