Izraeli sulmon Libanin, vritet një punonjës bashkie
Trupat izraelite kryen një inkursion në një qytet në jug të Libanit gjatë natës, duke vrarë një punonjës bashkie, raportojnë mediat shtetërore, mes një përshkallëzimi të sulmeve izraelite në Liban.
Trupat, të shoqëruara nga dronë dhe automjete të blinduara të lehta, hynë në Blida dhe sulmuan bashkinë, ku po flinte punonjësi - i quajtur Ibrahim Salameh, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve shtetërore të Libanit.
Ushtria izraelite tha se trupat e saj po kryenin një operacion për të “çmontuar infrastrukturën e Hezbollahut”, pa dhënë prova se ndërtesa po përdorej nga grupi.
Operacioni i Izraelit shkaktoi një reagim të furishëm në Liban, ku një armëpushim i dha fund një lufte midis tyre nëntorin e kaluar.
Ushtria izraelite thotë se trupat hasën një “të dyshuar” brenda ndërtesës dhe hapën zjarr kur u identifikua një “kërcënim i menjëhershëm”.
Nuk ishte e qartë nëse Salameh kishte qenë shënjestra e operacionit.
Raportohet se Izraeli ka shtuar sulmet ndaj njerëzve dhe objektivave që thotë se janë të lidhura me Hezbollahun.
Presidenti libanez, Joseph Aoun, i dha udhëzime komandantit të ushtrisë libaneze që të përballet me çdo ndërhyrje izraelite në Libanin jugor.
Ndërkohë, kryeministri Nawaf Salam e denoncoi vrasjen e Salameh dhe ndërhyrjen si një "shkelje flagrante të institucioneve dhe sovranitetit libanez".
Ai tha se Libani do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kombet e Bashkuara dhe garantuesit e armëpushimit "për të siguruar ndalimin e shkeljeve të përsëritura dhe zbatimin e një tërheqjeje të plotë izraelite nga tokat".
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, Izraeli intensifikoi sulmet e tij në të gjithë Libanin, duke thënë se po synonte pozicionet e Hezbollahut. /Telegrafi/


