Islami: Arrestimet e fundit të shqiptarëve në Serbi dëshmojnë vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës dhe arrestimeve të raportuara në Serbi, duke akuzuar Beogradin se po vazhdon të veprojë në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe, sipas tij, edhe me ligjet e veta.
Në një reagim publik, Islami tha se arrestimi i një të dyshuari për krime lufte në fshatin Kalludër të Zubin Potokut u pasua menjëherë me arrestimin e një mërgimtari shqiptar në pikën kufitare në Horgosh, në kufirin ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë pjesë të një strategjie politike që synon të krijojë përshtypjen e barazimit mes viktimave dhe autorëve të krimeve.
“Serbia vazhdon të dëshmojë se nuk njeh asnjë normë të ligjit ndërkombëtar, e madje as ligjet e veta. Menjëherë pas arrestimit të një të dyshuari për krime lufte në Kalludër të Zubin Potokut, pasoi kundërpërgjigjja e pritshme: arrestimi i një mërgimtari shqiptar në Horgosh”, ka deklaruar Islami.
Ai ka komentuar edhe rastin e arrestimit të një serbi të Kosovës nën dyshimet për spiunazh, duke pretenduar se ai kishte zbuluar vendndodhjen e vrasjes së intelektualëve të Mitrovicës.
Sipas Islamit, ky rast tregon se strukturat politike në Serbi mbeten të ashpra edhe ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që, sipas tij, nuk ndjekin narrativën zyrtare të Beogradit.
“Ky veprim tregon se trashëgimtarët e politikës së Millosheviqit mbeten të pamëshirshëm ndaj kujtdo që guxon të devijojë nga linja e tyre zyrtare, duke mos kursyer as pjesëtarët e komunitetit të tyre që refuzojnë t’u binden këtyre politikave”, ka theksuar ai.
Reagimi i Islamit vjen në kohën kur çështjet e krimeve të luftës, arrestimet ndërkufitare dhe hetimet për ngjarjet e periudhës së luftës vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi/


