Please enter at least 3 characters.

Ish-lojtari i Interit ndërron jetë në moshën 39-vjeçare pas një sëmundjeje të pashërueshme

Ish-mbrojtësi i Interit, Nicolas Giani, ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare, ka konfirmuar klubi.

Giani u formua në akademinë e Interit dhe ishte pjesë e klubit në nivel profesional në periudhën 2005–2008.

Edhe pse nuk arriti të debutojë me ekipin e parë, mbrojtësi qendror me origjinë nga Como zhvilloi një karrierë të suksesshme në nivelet e dyta dhe të treta të futbollit italian, duke luajtur për klube si Vicenza, Spezia dhe SPAL, ndër të tjera.

Pikërisht te SPAL, futbollisti italian ishte pjesë e një arritjeje historike, duke kontribuar në dy ngjitje radhazi në kategori dhe duke ndihmuar klubin të rikthehej në Serie A për herë të parë pas 49 vitesh.

Pas largimit nga Spezia, ai vazhdoi karrierën e tij në klube të kategorive më të ulëta në rajonin e Lombardisë.

Sezoni i fundit i karrierës së tij si futbollist e pa atë të vishte fanellën e skuadrës lokale Desenzano Calvina, e cila aktualisht garon në nivelin e pestë të piramidës së futbollit italian.

Giani u detyrua të pensionohej nga futbolli në moshën 36-vjeçare, në vitin 2022, pasi sipas Gazzetta dello Sport u zbulua se vuante nga një sëmundje e pashërueshme, identiteti i së cilës nuk është bërë publik.

Vdekja e tij, në moshën 39-vjeçare, u njoftua vonë të martën në mbrëmje, ndërsa disa nga ish-klubet e tij reaguan menjëherë me mesazhe ngushëllimi.

“FC Inter shpreh ngushëllimet më të thella pas ndarjes nga jeta të Nicolas Giani, mbrojtës i cili ishte pjesë e sektorit të të rinjve të Nerazzurrëve nga viti 1998 deri në 2005".

“Klubi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij”, ka shkruar faqja zyrtare e Interit./Telegrafi/