Please enter at least 3 characters.

Ish-kuzhinierja personale padit Kylie Jenner, pretendon se pësoi abort për shkak të ngarkesës në punë

Kylie Jenner është paditur nga ish-shefja e saj personale e kuzhinës, e cila pretendon se ngarkesa e madhe në punë e detyroi të pësonte abort spontan.

Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara të hënën në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, gruaja – emri i së cilës ende nuk është bërë publik – pretendon se punonte nga 11 deri në 12 orë në ditë, pesë ditë në javë, dhe se ishte e detyruar të kryente punë të rënda fizike, edhe pse i kishte njoftuar mbikëqyrësit se shtatzënia e saj ishte me rrezik të lartë, raporton Los Angeles Times.

Sipas padisë, ajo nisi punën si kuzhiniere personale e Jenner në nëntor të vitit 2024. Një muaj më vonë, ajo i kishte njoftuar mbikëqyrësit e saj – të cilët gjithashtu janë përfshirë në padi si bashkëpandehur – se ishte tre muajshe shtatzënë dhe se kishte nevojë për përshtatje të arsyeshme në punë për të mbrojtur shëndetin e saj dhe të foshnjës.

Foto: Kylie Jenner / GettyImages

Në prag të Vitit të Ri 2024, ajo pretendon se u urdhërua nga mbikëqyrësit të ngrinte dhe të transportonte pa ndihmë ushqime të rënda në anën tjetër të rrugës dhe përpjetë.

Ajo thotë se si pasojë e këtyre detyrave të rënda, iu morën mendtë, filloi të mbytej dhe të kishte vështirësi në frymëmarrje, duke pasur nevojë për ndihmën e personelit të sigurisë, i cili i dha ujë dhe i ofroi ndihmën e parë.

Foto: Kylie Jenner / GettyImages

Në një rast tjetër, ajo pretendon se u detyrua të punonte në festën e ditëlindjes së njërit prej fëmijëve të Kylie Jenner në Palm Springs, rreth datës 1 shkurt, por nuk iu sigurua mbështetje e mjaftueshme për të përballuar kërkesat e organizimit. Sipas saj, kërkesat për ndihmë u injoruan nga menaxherët.

“Si pasojë e lodhjes dhe ngarkesës së jashtëzakonshme fizike, ajo u përfshi nga një krizë emocionale në tualet gjatë aktivitetit”, thuhet në padi. “Atë mbrëmje, ajo përjetoi lodhje ekstreme fizike dhe një ndjesi të rëndë në të gjithë trupin, si rezultat i punës së zgjatur dhe intensive.”

Të nesërmen në mëngjes, ajo filloi të kishte gjakderdhje të rëndë dhe u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë, ku mjekët e njoftuan se nuk kishte më rrahje zemre të fetusit dhe se kishte humbur foshnjën e palindur.