Please enter at least 3 characters.

IQMT: Kontrollet po japin rezultat – marketet e inspektuara po respektojnë udhëzimet për produktet e qumështit

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të MINTI-t thekson se ka vazhduar kontrollet në markete lidhur me produktet e qumështit të identifikuara në mospërputhje në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

IQMT thekson se inspektimet janë realizuar në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë dhe Fushë Kosovë, me fokus në verifikimin e respektimit të udhëzimeve për mos-shitjen e produkteve të dyshimta apo të papërshtatshme për konsum.

“Rezultatet e kontrolleve tregojnë se marketet po i respektojnë udhëzimet e IQMT-së dhe po ndalojnë shitjen e produkteve të identifikuara si të papërshtatshme për konsum, në përputhje me raportet e AUV-it”, thuhet tutje.

IQMT thekson se konsumatorët mbesin pjesë e rëndësishme e këtij procesi, duke raportuar çdo parregullsi apo dyshim lidhur me produktet në treg përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa: +383 (0) 46 311-000. /Telegrafi/