Please enter at least 3 characters.

“Investime zero në energji, veç dy-tri themele me kacia” - Azemi: Qeveria ka dështuar

Visar Azemi nga LDK

Sektori i energjisë në Kosovë vazhdon të përballet me sfida serioze, ndërsa mungesa e investimeve në kapacitete të reja prodhuese po e thellon varësinë nga importi dhe rrit kostot për qytetarët.

Në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka kritikuar qeverinë për mungesë të plotë veprimi në zhvillimin e sektorit energjetik.

“A ka ndërtu diçka? Veç një dy-tri gur themele i ka qitë… dhe ka mbet gjithçka aty. Centralet ekzistuese janë jashtëzakonisht të vjetra dhe në një shtet normal ish dashtë me u dekomisionu, sepse e kanë kalu jetëgjatësinë e tyre”, ka thënë ai shkruan Telegrafi.

Azemi thekson se kapacitetet ekzistuese, si Kosova A dhe Kosova B, janë të vjetruara dhe në kushte normale do të duhej të dilnin jashtë funksionit. Sipas tij, ka munguar një strategji konkrete për zëvendësimin e këtyre kapaciteteve.

Ai shton se Kosova ka humbur mundësi për investime në energji, përfshirë edhe ofertat ndërkombëtare për ndërtim të kapaciteteve të reja.

- YouTubewww.youtube.com

“Amerika erdhi dhe dha opsionin për ndërtim me gaz, por nuk u shfrytëzua dhe Kosova u la në peng të importeve. Çmimi i energjisë u rrit dhe faturat u dyfishuan, sepse gjithçka është përkthy në faturë. Zero investime në energji të re. Është nis një projekt për park solar që katër-pesë vjet dhe kurrgjë s’ka ndodh – absolutisht zero”, ka deklaruar ai.

Azemi përmend edhe projektet e paralajmëruara për energji të ripërtëritshme, të cilat, sipas tij, kanë mbetur vetëm në letër.


Sipas tij, pa ndërtimin e kapaciteteve të reja, sektori i energjisë nuk mund të funksionojë si duhet.

“Pa ndërtu kapacitetet tona, ti nuk mundesh me drejtu sektorin e energjisë. Nëse nuk prodhojmë vetë, Kosova jo që s’ka me pasë furnizim të qëndrueshëm, por rrezikon edhe sigurinë nacionale”, ka deklaruar ai./Telegrafi/.