Please enter at least 3 characters.

Internet falas në hapësirat publike, Podujeva nis projektin

Qytetarët e Podujevës tashmë mund të shfrytëzojnë internet falas në hapësirat publike, falë lansimit të një projekti për WiFi publik. Kjo iniciativë, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe GIZ, synon përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe rritjen e qasjes në internet për të gjithë qytetarët, me plan për t’u shtrirë edhe në 33 komuna të vendit.

Nga sot, Komuna e Podujevës do të ofrojë internet falas për qytetarët e saj. Tashmë, ata do të kenë mundësi të qasen në rrjet pothuajse në çdo hapësirë publike, pa pasur nevojë të paguajnë për shërbimin e internetit.

Lansimi zyrtar i projektit për ofrimin e rrjetit WiFi publik falas do të bëhet në 33 komuna të vendit dhe synon përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe rritjen e qasjes në internet për të gjithë qytetarët.

“Kjo është një arritje e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në vendin tonë”, theksoi Lulëzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

E Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës, ka theksuar se kjo iniciativë është një kapitull i ri.

Kurse Burbuqe Hana, drejtoreshë ekzekutive e Telekomit të Kosovës, tha se “kjo është një mundësi e mirë që të rrisim bashkëpunimin edhe në komunat e tjera të Kosovës, në kuptim të ofrimit të shërbimeve ndaj tyre".

Në kuadër të kësaj nisme u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi mes GIZ-it gjerman dhe Komunës së Podujevës, i cili synon të sigurojë qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë në internet për qytetarët. Ky projekt u realizua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, GIZ-it gjerman dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.