Please enter at least 3 characters.

Informaliteti si vullnet i pushtet-ndërtimit

Para disa ditësh, krerët institucionalë u zotuan sërish se do ta luftonin seriozisht informalitetin dhe besa do ta zhduknin nga faqja e dheut. Zotime të tilla nuk janë të parat dhe as që pritet të jenë të fundit. Ka pasur dhe do të ketë nënshkrime marrëveshjesh mirëkuptimi e memorandume për luftimin e krimit, informalitetit e të keqes, por e gjithë kjo nuk ka dhënë as më të voglin rezultat.

Arsyeja e lulëzimit të informalëve në Kosovë është se politika rezervon mundësinë për t'i detyruar, mashtruar apo për t'i joshur informalët, me qëllim t'i radhitë në krahun partiak ose t'i përvetësojë si votues. Shumë biznese të vogla mbeten informale ose shteti ka një shkallë të lartë tolerance ndaj evazionit të tyre fiskal, ndërsa shumë biznese të mesme mbajnë punëtorë informalë. Për këtë arsye, ndaj tyre mund të veprojë vetëm trysnia politike nën “kërcënimin” e zbatimit të ligjit, për të përfituar votën apo bashkëpunimin në biznese të dyshimta. Dhe, në një ambient ku papunësia kalon gjysmën e të aftëve për punë, politika gjen terren, duke i parë ata kryesisht si mjet për qëllimin e pushtetit. Por, jo vetëm kaq. Informalët shpesh paraqiten ortakë me struktura të larta të pushteteve në punë të ndryshme botore.

Fati i informalitetit në Kosovë, pa dyshim, është në duart e shtetit, shpesh duke u shfrytëzuar kjo dukuri për interesa politike. Po t'u referohemi statistikave, del shumë qartë se në Kosovë shteti vazhdon të mbetet punëdhënës i madh, ndërsa përzgjedhja bëhet kryekëput sipas kriterit politik. Militantizmi i dëshmuar partiak është kriteri bazë kualifikues e jo respektimi i institucionit të konkursit dhe, pa dyshim, edhe kjo është njëfarë informaliteti. Dhe, në këtë mënyrë punësimi, shantazhi bëhet metodë veprimi.

Punëdhënësi shtet i sheh si votues të punësuarit, të cilët kanë për detyrë të sigurojnë edhe shumë vota të tjera në këmbim të këtij punësimi. Aq më shumë që të punësuarit militantë shpesh janë me kontratë në vepër dhe kështu mbushen ndërmarrjet publike.

Sektori privat vazhdon të luhatet ndërmjet përpjekjeve për t'u formalizuar dhe përfitimet e informalëve të lejuar si të tillë sërish nga politika. Informaliteti vërtet është dukuri e shtrirë në gjithë botën, por më shumë si çështje teknike dhe shmangie nga respektimi i ligjit. Por, në shoqërinë si kjo jona, është politika ajo që lejon lulëzimin e saj për arsye përfituese. Në një krizë punësimi, dhënia fund e informalitetit do të pritej keq nga ata votues që përfitojnë nga kjo punë. Politika e ka të qartë se të punësuarit formalë për nga kontrata që kanë ndiejnë një siguri më të madhe në vendin e punës dhe për këtë arsye ata janë shumë më indiferentë ndaj politikës, ndryshimeve dhe, më e rëndësishmja, premtimeve politike. Ndërkaq, kategoria më e ndjeshme me të cilën mund të bëhen llogari bindjeje apo manipulimi e votash janë pikërisht informalët, të cilët joshen ose duan t'u besojnë premtimeve elektorale. Kjo është kategoria me të cilën politika manipulon më shumë.

Mekanizmat kryesorë dhe të vetëm që do të duhej ta luftonin këtë dukuri që gërryen arkën e shtetit, pa dyshim, janë të tri pushtetet. Deri tani, lufta e pushtetit të katërt (mediave) as që u ka bërë përshtypje tri pushteteve shtetërore. Logjika është e thjeshtë: këtu logjika e shtet-ndërtimit ende nuk mund të dalë triumfues mbi vullnetin e pushtet-ndërtimit. Dhe, këto janë arsyet e trysnisë mbi pushtetin edhe ashtu të kalbur gjyqësor, qoftë kjo edhe në vendimet autonome për përsëritje zgjedhjesh, apo në paragjykimet për skandalet e hapura për moszbulimet e disa krimeve të pasluftës.

Në vullnetin e papërmbajtur të pushtet-ndërtimit, ekzekutivi asnjëherë nuk është i interesuar për forcimin dhe funksionimin autonom të gjyqësorit. Dhe kjo shihet sheshazi se si nga njëra anë nuk bëhen reforma në forcimin dhe rifreskimin e gjyqësorit dhe nga ana tjetër, sa herë që gjyqësori merr një vendim autonom, politika çohet në këmbë duke e akuzuar gjyqësorin për politikë. Pikërisht pushteti ka ditur të manovrojë mirë dhe i ka maksimizuar përfitimet nga informaliteti, mossundimi i ligjit, pavarësisht se, në rastin tonë, informaliteti e dëmton rëndë buxhetin e shtetit; informaliteti lë një rrugë më pak, shumë nxënës pa një shkollë, rroga më të vogla për arsimtarët, mjekët e policët, por jo edhe për pushtetarët. Kjo logjikë moniste përcjell teorinë e tillë po nga ata që dikur e themeluan atë: vetëm pasi të konsolidohet pushtet-ndërtimi, shteti do ta thërrasë në mbrojtje ligjin. Kësaj radhe për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet hallkave të shtetit.