Imami Aliu për rastin në Llacë: Vdekja kërkon respekt, ndërsa morti nuk është vend për spektakël
Imami Bashkim Aliu ka reaguar në lidhje me rastin në fshatin Llacë të Tetovës, i cili shkaktoi reagime të shumta në opinion. Imami Aliu thotë se rastet mortore nuk duhet të shndërrohen në spektakël mediatik.
Ai thotë se disa gjëra nuk kanë nevojë për interpretime të ndërlikuara.
"Po, imami nuk është melek dhe, si çdo njeri tjetër, mund të ketë një qëndrim që për dikë mund të jetë i diskutueshëm. Por, kur bëhet fjalë për mort, për askënd nuk duhet të jetë e diskutueshme se është thellësisht jonjerëzore ta shndërrosh mortin në spektakël, në një show mediatik, veçanërisht kur këtë e bën një fëmijë për nënën e vet".
"Këtu përfundon çdo diskutim serioz mbi vlerësimin e qëndrimit të imamit. Ajo që mbetet është mjerimi i imituesit të një grumbulli nga Deçani, i cili, në vend që të kuptojë dhimbjen dhe dinjitetin e mortit, zgjedh ta shndërrojë atë në skenë për protagonizëm e spektakël. Disa gjëra nuk kanë nevojë për interpretime të ndërlikuara: vdekja kërkon respekt, dhimbja kërkon dinjitet, ndërsa morti nuk është vend për spektakël", ka shkruar imami Bashkim Aliu.
Ndryshe, një ceremoni mortore në fshatin Llacë të Tetovës shkaktoi debat në opinion, pasi familjarët e një gruaje të ndjerë pretenduan se imami i fshatit refuzoi të vazhdonte ceremoninë pasi mbi arkivol u vendos flamuri kombëtar shqiptar.
Imami i Llacës, Bajram Xhezairi, tha se është larguar nga ceremonia e varrimit me kërkesë të familjarëve dhe se ka një parim që në ceremonitë mortore të mos përdoret asnjë lloj flamuri apo simboli. Sipas tij, kjo vlen edhe për flamujt me karakter fetar, përfshirë flamurin e gjelbër me shkrime fetare.
Ai ka argumentuar se vendimi lidhet me parimet fetare, por edhe me faktin se në Llacë jetojnë komunitete të ndryshme dhe se synimi është shmangia e problemeve apo keqkuptimeve gjatë ceremonive mortore./Telegrafi/


