IKD: Projektligji për Byronë kërkon rishikim për të garantuar pavarësinë e institucionit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi konferencë për media, në të cilën publikoi raportin “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”.
Në hapje të konferencës, hulumtuesja në IKD, Shqiponjë Gashi, theksoi se raporti është përgatitur mbi bazën e komenteve që IKD i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë dhe synon të kontribuojë në përmirësimin e projektligjit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Fillimisht, hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, rikujtoi se tash e gjashtë vite në Kosovë është duke u diskutuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjatë kësaj periudhe, projektligji është miratuar tre herë në Qeveri, ndërsa në dy raste pa zhvilluar fare konsultime publike dhe në një rast tjetër me afate të shkurtuara. Ai vlerësoi pozitivisht faktin që versioni aktual është publikuar për konsultime publike, duke krijuar mundësinë që vërejtjet profesionale të adresohen para procedimit të tij në Kuvend.
Më tej, Shala theksoi se, ndonëse projektligji aktual paraqet përmirësime në raport me draftet paraprake, ai ende përmban dispozita që kërkojnë rishikim. Sipas tij, luftimi i pasurisë së pajustifikueshme është një qëllim legjitim dhe me interes të lartë publik, mirëpo mënyra se si ndërtohet mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e saj është po aq e rëndësishme sa vetë qëllimi i ligjit.
Duke qenë se Byroja do të ushtrojë kompetenca të gjera, përfshirë verifikimin e pasurisë, kërkimin e masave të sigurimit, inicimin e procedurave gjyqësore dhe kërkimin e konfiskimit të pasurisë, projektligji duhet të jetë i qartë, i saktë dhe të përmbajë garanci të mjaftueshme kundër arbitraritetit.
Sa i përket pavarësisë institucionale, Shala theksoi se projektligji parasheh që Drejtori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të zgjidhen nga Kuvendi me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Sipas IKD-së, një mënyrë e tillë e zgjedhjes nuk ofron garanci të mjaftueshme për një institucion që do të vendosë për çështje me pasoja të rëndësishme juridike, ekonomike dhe personale. Për këtë arsye, IKD rekomandon që këto pozita të zgjidhen së paku me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit, në mënyrë që të forcohet pavarësia dhe besueshmëria e institucionit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e evidentuar në raport lidhet me kriteret për fillimin e procedurës së verifikimit të pasurisë. Shala theksoi se projektligji nuk e përcakton qartë se kur një pasuri konsiderohet dukshëm më e lartë se të hyrat e ligjshme. Mungesa e një pragu të përcaktuar, metodologjie dhe kritereve objektive i jep Byrosë hapësirë të gjerë interpretimi, duke krijuar rrezik që raste të ngjashme të trajtohen në mënyra të ndryshme.
Lidhur me organizimin e sistemit gjyqësor, Shala tha se projektligji nuk e ka ndërtuar në mënyrë të plotë specializimin gjyqësor. Edhe pse parasheh krijimin e Divizionit për Konfiskim Civil në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai nuk parasheh specializim edhe në Gjykatën e Apelit. IKD vlerëson se edhe gjykimi në shkallën e dytë përfshin çështje komplekse që lidhen me faktet, provat, barrën e provës, të drejtat e palëve të treta dhe konfiskimin e pasurisë, prandaj specializimi duhet të shtrihet edhe në këtë nivel.
Shala theksoi gjithashtu se projektligji duhet të qartësojë momentin kur barra e provës kalon te pala. Qytetari nuk duhet të detyrohet të arsyetojë prejardhjen e pasurisë vetëm për faktin se Byroja ka paraqitur propozimin në gjykatë. Para se barra e provës të kalojë te pala, gjykata duhet të vlerësojë nëse kërkesa e Byrosë është e mbështetur në prova të mjaftueshme dhe nëse ekzistojnë baza reale për vazhdimin e procedurës.
Më tej, ai theksoi se projektligji nuk rregullon në mënyrë të mjaftueshme të drejtën e kompensimit në rastet kur procedura përfundon pa konfiskim. IKD vlerëson se ligji duhet të përcaktojë qartë mënyrën, afatet dhe përgjegjësinë për kompensimin e dëmit në rastet kur pasuria e një qytetari është bllokuar për muaj ose vite dhe në fund rezulton se nuk ka pasur bazë për konfiskim.
Një tjetër rekomandim i rëndësishëm lidhet me mbrojtjen e palëve të treta. Shala theksoi se transferimi i pasurisë te një person tjetër nuk duhet të jetë i mjaftueshëm për përfshirjen e tij në procedurën e verifikimit. IKD vlerëson se një ndërhyrje e tillë duhet të bazohet në rrethana konkrete që tregojnë se transferimi është bërë për fshehjen e pasurisë ose shmangien e konfiskimit. Po ashtu, raporti rekomandon qartësimin e konceptit të blerësit me mirëbesim për të shmangur pasigurinë juridike.
Në fund, Shala theksoi se masat e sigurimit duhet t'i nënshtrohen rishikimit periodik nga gjykata për të garantuar proporcionalitetin e tyre dhe për të parandaluar kufizime të panevojshme të të drejtës së pronës. Ai shtoi se projektligji kërkon gjithashtu përmirësime gjuhësore, teknike dhe konceptuale në një sërë dispozitash, përfshirë ato që lidhen me pasuritë zëvendësuese, transaksionet me palët e treta dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
IKD vlerëson se projektligji mund të shërbejë si një mekanizëm efektiv për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme vetëm nëse garanton pavarësi institucionale, siguri juridike dhe mbrojtje efektive të të drejtave të qytetarëve.
Në fund, Shala theksoi se projektligji kërkon rishikim gjuhësor, teknik dhe konceptual për të qartësuar një sërë dispozitash. Ai shtoi se Ligji për Byronë mund të jetë një mekanizëm i rëndësishëm në luftimin e pasurisë së pajustifikueshme vetëm nëse ndërtohet si instrument i sundimit të ligjit dhe garanton siguri juridike për qytetarët. /Telegrafi/


