Please enter at least 3 characters.

Ibrahima Konate mes lotësh pas golit: U ktheva ta ndihmoj Liverpoolin pavarësisht vdekjes së babait

Mbrojtësi Ibrahima Konate ishte një ndër golashënuesit në fitoren 4-1 të Liverpoolit kundër Newcastle Unitedit.

Francezi shënoi me kokë golin e fitores, ndërsa ia dedikoi babait, që i ndërroi jetë para dy javëve, derisa assesi s’arriti t’i mbajë lotët.

Pas ndeshjes, Konate e ka pranuar se ka kaluar këto javë shumë të vështira, megjithatë gjeti forcën për t’u kthyer në fushë vetëm për ta ndihmuar skuadrën angleze.

“Jam shumë i lumtur dhe nuk di si ta përshkruaj atë që po ndiej tani. Ishte një moment shumë i vështirë për mua dhe familjen time gjatë dy javëve të fundit”.

“Por kjo është pjesë e jetës dhe është shumë e vështirë për t’u pranuar… kemi disa lojtarë të lënduar, trajneri më tha të merrja kohën time, por mendova se ishte e rëndësishme për mua të vija, sepse doja ta ndihmoja ekipin në një moment vendimtar për ne”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Liverpooli mori një fitore tepër të rëndësishme për t’u ngjitur në pozitën e pestë në tabelë.

Sa i përket Konate, ende nuk dihet nëse do të rinovojë kontratën apo të largohet falas në verën e vitit 2026./Telegrafi