I nominuari për ambasador në Shqipëri: Luftimi i krimit forcon sigurinë e SHBA-së dhe Shqipërisë
I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, tha se, nëse konfirmohet në këtë post, prioritetet e tij kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së.
Wendt i bëri këto deklarata më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit për postin e ambasadorit në Tiranë.
Ai tha se, nëse konfirmohet, do të punojë në katër drejtime kryesore, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe funksionimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, tha Wendt.
Kush është Eric Wendt?
Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.
Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.
Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.
Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.
Ai theksoi gjithashtu se do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e zotimeve të saj në kuadër të NATO-s, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2035.
Wendt përmendi edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike amerikane dhe shqiptare, si dhe nisma të mundshme të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.
Në aspektin ekonomik, ai tha se do të fokusohet në nxitjen e prosperitetit amerikan, duke shtuar se kjo do të sillte përfitime edhe për Shqipërinë.
Sipas tij, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me “kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore” në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura, minierat dhe fusha të tjera ekonomike.
Wendt foli edhe për përvojën e tij me trupat shqiptare, duke kujtuar se, si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, kishte pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale të Shqipërisë.
Ai tha se kishte punuar me ta në terren në Shqipëri, ndërsa në Afganistan kishte shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.
“Kam parë se pjesëtarët e Forcave Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar, Skënderbeut, dhe se populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, tha Wendt.
Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, James Risch, tha se partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit, duke e cilësuar Shqipërinë si aleate të rëndësishme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në përballjen me ndikimin rus në rajon.
Edhe senatorja Jeanne Shaheen tha se Shqipëria është një nga partneret më të afërta të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe aleate e NATO-s, duke theksuar se ajo ka qëndruar pranë SHBA-së “në shumë mënyra”, përfshirë edhe mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë.
“Nëse konfirmoheni, ju do të jeni ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas tre vjetësh, në një moment të rëndësishëm për rajonin. Udhëheqja diplomatike ka rëndësi”, tha Shaheen.
Wendt u propozua në prill nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.
Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasadorë të konfirmuar nga Senati në asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Nëse konfirmohet, Wendt do të ishte ambasadori i parë i konfirmuar amerikan në rajon në këtë periudhë.
Çfarë tjetër u tha gjatë seancës dëgjimore?
Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Wendtin edhe për rolin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për ndikimin që një institucion i tillë mund të ketë në klimën e investimeve në Shqipëri.
Wendt tha se, sipas informacioneve që ka lexuar, SPAK-u ka qenë “një organizatë shumë e vlefshme”, e pavarur dhe jopolitike.
“Nëse konfirmohem, mund të zotohem se do ta mbështes vazhdimin e veprimtarisë së tij të pavarur dhe jopolitike”, tha ai.
Ai tha se SPAK-u ka qenë i rëndësishëm edhe në bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n, në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale.
Sipas tij, puna e SPAK-ut mund të ndihmojë edhe bizneset amerikane në Shqipëri, duke forcuar zbatimin e ligjit për kontratat, sigurinë dhe transparencën në tenderë.
“Kjo do të ndihmojë në krijimin e kushteve më të barabarta për bizneset amerikane në Shqipëri”, tha Wendt.
SPAK u krijua në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.
Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit edhe ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Senatori demokrat, Chris Murphy, e pyeti Wendtin nëse do të angazhohej që Ambasada amerikane në Tiranë të mos favorizojë biznese të lidhura me presidentin amerikan, Donald Trump, familjen apo aleatët e tij.
Murphy përmendi disa raste në rajon, përfshirë projektin e propozuar për ndërtimin e një hoteli Trump në Beograd, si ndërtimin e një gazsjellësi në rajon “nga aleatë të Trumpit”.
Senatori tha se ka edhe një rast në zhvillim në Shqipëri, ku, sipas tij, disa konsulentë politikë të presidentit amerikan “po fitojnë miliona” duke këshilluar opozitën në Shqipëri.
Wendt tha se nuk ka njohuri për investime personale familjare në Shqipëri, por shtoi se detyra e tij, nëse konfirmohet ambasador, do të jetë mbështetja e bizneseve amerikane pa trajtim preferencial.
“Puna ime është të sigurohem që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur, që sundimi i ligjit të respektohet dhe që fusha e lojës të jetë e barabartë”, tha Wendt.
Seanca e 20 majit nuk përfshiu votim për Wendtin apo për të nominuarit e tjerë për poste në Australi, Norvegji, Korenë e Jugut dhe në Departamentin amerikan të Shtetit.
Në fund të seancës, kryetari i Komitetit, senatori republikan James Risch, i vlerësoi të nominuarit si një panel “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se komiteti “nuk e sheh gjithmonë këtë lloj cilësie në një vend”.
Ai tha se senatorët mund të dorëzojnë pyetje shtesë me shkrim deri më 21 maj. Pas kësaj, nominimet pritet të shqyrtohen për votim në komitet dhe, nëse miratohen, t’i dërgohen Senatit të plotë.


