“I fotografonin në hotel”, adoleshentet në Fier kishin ngritur rrjet shantazhi - pre edhe një polic
Hetimet rreth dhunimit në grup të një 17-vjeçareje në Fier kanë zbuluar të dhëna të reja tronditëse, duke nxjerrë në dritë një skemë të mirëfilltë shantazhi dhe gjobvënieje të ngritur nga vajzat e përfshira në ngjarje.
Sipas të dhënave të siguruara deri më tani nga organet e hetimit, adoleshentet dyshohet se kishin krijuar një rrjet kriminal me bazë joshjen dhe futjen në kurth të burrave të ndryshëm. Skema funksiononte përmes lënies së takimeve në dhoma hoteli, ku persona të tjerë të bashkërenduar me vajzat i fotografonin viktimat në momente komprometuese, me qëllim gjobvënien dhe intimidimin e tyre.
Pre e këtij rrjeti shantazhi ka rënë së fundmi edhe një punonjës policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga një prej 15-vjeçareve për llogari të çështjes hetimore të rrahjes së të miturës. Gjatë komunikimit, e mitura ka tentuar ta joshë efektivin duke i kërkuar takim në hotel, por polici ka pranuar ta takojë atë vetëm në një ambient publik (kafe).
Pavarësisht kësaj, bisedat e zhvilluara në rrjete sociale janë përdorur nga adoleshentet për ta shantazhuar atë me qëllim mbylljen e dosjes së dhunës, duke e kërcënuar me publikimin e mesazheve online. Si pasojë e këtij implikimi, efektivi është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po vijon verifikimet e thelluara.
Këto detaje të reja vijnë në një kohë kur Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për tri vajzat e arrestuara. Për 19-vjeçaren është caktuar masa “Arrest në burg”, për njërën prej 15-vjeçareve u vendos masa “Arrest në shtëpi”, ndërsa për të miturën tjetër 15-vjeçare u caktua masa e mjekimit të detyruar spitalor, pasi ekspertiza psikiatrike vërtetoi se vuan nga probleme të shëndetit mendor.


