I dyshuari për të shtënat me armë pranë Shtëpisë së Bardhë akuzohet për vrasje
Një i dyshuar i akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington javën e kaluar u akuzua zyrtarisht sot për vrasje dhe krime të tjera, ndërsa mori pjesë në seancën e tij të parë dëgjimore nëpërmjet lidhjes video nga shtrati i spitalit.
Një gjyqtar në Uashington urdhëroi që Rahmanullah Lakanwal të mbahet në paraburgim pa lirim me kusht, duke thënë se ishte "jashtëzakonisht i tmerruar" nga të shtënat që ndodhën disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, të cilat vranë një anëtare të Gardës Kombëtare dhe plagosën rëndë kolegun e saj.
Lakanwal, një shtetas afgan, u plagos edhe vetë në incident dhe mbetet i shtruar në spital.
"Sarah Beckstrom nga Virxhinia Perëndimore, një nga anëtaret e Gardës Kombëtare për të cilën po flasim, një person shumë i respektuar, i ri dhe i mrekullueshëm... Ajo sapo ndërroi jetë. Nuk është më me ne", tha Trump në fjalimin e tij të parë të drejtpërdrejtë që nga të shtënat.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, konfirmoi se sulmuesi u lejua të hynte në SHBA "për shkak të punës së tij të mëparshme me qeverinë amerikane".
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi gjithashtu se "ka raportime se i dyshuari kishte një lidhje në Afganistan me forcat partnere", duke shtuar se kjo pjesë e të dhënave të tij po hetohet plotësisht. /Telegrafi/


