“Hidrodrini” u bën thirrje banorëve të “Jarinës” në Pejë të kryejnë kyçjet në rrjetin e ri të ujësjellësit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. ka bërë thirrje të përsëritur për konsumatorët e B.T. “Jarina” në Pejë që të realizojnë sa më shpejt kyçjet brenda shtëpiake në sistemin e ri të ujësjellësit.
Sipas njoftimit të “Hidrodrinit”, pas dekadash është realizuar projekti investiv për sistemin e ri furnizues, ku po bëhet kalimi nga gypi i vjetëruar i ujësjellësit (azbest) në gyp të ri (polietilen).
Kompania bën të ditur se gypi i ri tashmë shtrihet përgjatë rrugës publike, ndërsa gypi i vjetër – i cili në shumicën e rasteve, sipas tyre, ka kaluar nëpër prona private – do të ndërpritet përfundimisht.
Në njoftim thuhet se investimi synon të rrisë cilësinë dhe sasinë e furnizimit me ujë.
“Investimi rrit cilësinë, sasinë dhe kualitetin e ujit”, thuhet në njoftim.
“Hidrodrini” ka bërë të ditur se ekipet teknike do të jenë vazhdimisht në terren për të monitoruar procesin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve, duke kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët. /Telegrafi/


