Please enter at least 3 characters.

Hetim, akuza dhe reagim i fortë, Joan Laporta mohon çdo përfshirje në aferën 100 mijë euro

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi me vlerë rreth 100 mijë euro, e cila aktualisht është nën hetim nga Gjykata e Instruksionit nr. 22 në Barcelonë.

Çështja nuk ka asnjë lidhje me FC Barcelonën dhe lidhet me pretendimet se Laporta ka mashtruar një grua përmes investimeve të lidhura me kompanitë Core Store dhe CSSB Limited.

Në një deklaratë publike, duke reaguar ndaj raportimeve për paraqitjen e tij në gjykatë më 16 janar 2026, Laporta ka sqaruar qartë qëndrimin e tij, duke renditur disa pika kryesore për të hedhur poshtë akuzat.

“Unë nuk kam marrë pjesë në nënshkrimin e asnjë kontrate të lidhur me mashtrimin e pretenduar dhe nuk e njoh fare ankuesen”.

“Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë përfaqësues apo agjent i CSSB Ltd., dhe për këtë arsye nuk kam nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk kam marrë fonde në emër të kësaj kompanie”.

Sa i përket një dokumenti të përmendur nga avokati i paditëses, Laporta ka sqaruar se firma e tij figuron vetëm në cilësinë e dëshmitarit, në përputhje me praktikën standarde në juridiksionin përkatës.

“Firma ime shfaqet vetëm si dëshmitar, siç është praktikë normale ligjore, dhe jo si palë kontraktuese”.

“Jam plotësisht i bindur se hetimi do të vërtetojë se nuk kam luajtur asnjë rol në këtë çështje, aq më tepër që në fazën fillestare ankesa nuk u pranua për shqyrtim”.

Në fund, Laporta ka bërë të ditur se rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj mediave që, sipas tij, kanë publikuar informacione të njëanshme ose të pasakta, të cilat dëmtojnë imazhin dhe reputacionin e tij personal dhe profesional./Telegrafi