Please enter at least 3 characters.

Hendboll: Prishtina humb në finale të ‘Cell Cup’

2016/01/f.0817144539431_210.jpg

Siç raporton Koha, Prishtina garoi te seniorët dhe në finale, të premten, humbi nga skuadra hungareze Varpalotai me rezultat të ngushtë 23:22. Nga kjo skuadër Prishtina kishte humbur edhe në fazën grupore. Në grup, Prishtina përfundoi e para me katër fitore e një humbje. Te seniorët garuan gjashtë ekipe. Pos Prishtinës ishin edhe katër ekipe nga Hungaria dhe një nga Gjermania.

Të premten në finale u paraqit edhe Kosova U-18. Ajo humbi nga skuadra hungareze Pick Szeged me shifrat 25:24. Szegedi e kishte mposhtur Kosovën edhe në fazën grupore. Kosova U-18 në grup kishte shënuar tri fitore e një humbje, ndërsa më pas shënoi edhe një fitore për të arritur në finale. Në konkurrencën e 18-vjeçarëve garuan dhjetë ekipe të ndara në dy grupe.

Ndërkohë plasmanin më të dobët në ‘Cell Cup’ e pati Kosova U-16. Ajo të premten luajti për pozitën e 15-të dhe fitoi kundër skuadrës Eto Szese me rezultat të thellë 22:12. Te 16-vjeçarët u paraqitën gjithsej 24 ekipe.

Hendbollistët e rinj kosovarë paraqiten rregullisht në ‘Cell Cup’. Në këtë turne garojnë më shumë se 100 ekipe nga vende të ndryshme. Garat zhvillohen për seniorë dhe për hendbollistë të rinj, deri në 10 vjet. /Telegrafi/