Haxhiu jep detaje për komentet e Vetëvendosjes drejtuar Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe në lidhje me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Sipas LVV-së, kërkesa e Listës Serbe drejtuar organit më të lartë juridik në vend për votimin ndaras të nënkryetarit të legjislativit nga komunitetet jo shumicë nuk përputhet me kërkesat themelore të Kushtetutës, pasi s’ka pasur asnjë akt të miratuar nga Kuvendi.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, duke dhënë detaje për komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese tha se shteti i Kosovës është unitar dhe jo multietnik, andaj Lista Serbe nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja.
“Ne kemi kërkuar që kërkesa e parashtruesve të shpallet e papranueshme, nuk përputhet me kërkesat themelore të Kushtetutës së Kosovës. Kontrolli kushtetues është i mundur vetëm mbi aktet e miratuara nga Kuvendi, në këtë rast nuk kemi një akt të tillë por vetëm një procedurë të ndërprerë pa ndonjë pasojë juridike”, tha ajo.
Përkitazi me këtë, Haxhiu akuzoi Listën Serbe që po tenton të keqpërdorë vendet e rezervuara për qëllime politike që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe sovranitetin e shtetit.
“Shteti ynë është shtet unitar dhe jo shtet multietnik. Ky model është rregullator i Republikës sonë demokratike. Në shtetin tonë të shpallur të pavarur në vitin 2008 asnjë grup teknik, gjinor apo shoqëror nuk e ka të drejtën e vetos përmbi organet tona që konstituojnë Republikën. Ne qytetarët jemi palë të barabarta. Pakoja e Ahtisaarit që i parapriu përmbajtjes së Kushtetutës ka dhënë vende të rezervuara për komunitet jo shumicë e jo të drejtë vetoje për konstituimin e Kuvendit...Asnjë subjekt politik, përfshirë këtu partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë nuk mund të pengojnë apo bllokojnë institucionet shtetërore, sidomos për qëllime politike që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe sovranitetin e shtetit. Është e papranueshme që një subjekt politik, në këtë rast Lista Serbe e cila as nuk e njeh Republikën e Kosovës, institucionet e saj, të përdorë vendet e rezervuara për komunitetin serb si mjet për të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e qeverisjes demokratike. Kjo sjellje përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin institucional dhe demokracinë në vend”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se nuk do të votojnë asnjë prej deputetëve të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, edhe nëse Kushtetuesja rikthen procedurën për votim në pako të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
“Asnjërin nga deputetët e Listës Serbe nuk do ta votojmë. Lista Serbe nuk është dashur fare të certifikohet. Megjithatë, ne fatkeqësisht i kemi nëntë deputetë të tyre në Kuvend. Fatmirësisht e kemi një deputet serb që e njeh Republikën e Kosovës...Nuk ka gjykatë që mund t’i thotë ndonjë partie politike patjetër duhet të votosh për këtë person. Nuk mundet... Votimi në pako nuk është kërkesë Kushtetuese. Në momentin kur nuk ka konsensus brenda Kuvendit nuk mund të vazhdohet në votim në pako”, theksoi Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Rrjedhimisht i takon që të propozojë mandatarin për formim të qeverisë së ardhshme.
Haxhiu tha se LVV-ja ka votuar kreun e saj, Albin Kurti, për mandatar për kryeministër, andaj pas skadimit të masës së përkohshme do të nisin diskutimet për formimin e shumicës parlamentare.
Ajo u shpreh e hapur për vazhdimin e diskutimeve me Nismën Socialdemokrate për të formuar qeverinë si dhe, siç tha, ndonjë deputet individual për ta arritur shumicën parlamentare.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka votuar tashmë për mandatar kryeministrin e tanishëm, Albin Kurtin, kryetarin e LVV-së. Ne kemi pasur në plan që të menjëherë të vazhdojmë me procedurat për zgjedhjen e qeverisë, prandaj për neve është absurde që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar punën e 120 deputetëve të Kosovës. Meqenëse kemi një masë të përkohshme, ne do të flasim për këtë çështje kur t’i vijë radha, por njëherë duhet të presim aktgjykimin e Kushtetueses. Sigurisht ne kemi bërë të hapur se kënd e kemi parë si partner. PDK-në assesi, me LDK-në kemi pasur përpjekje por jemi refuzuar, siç e dini. Negociatat apo diskutimet mund të vazhdojnë me Nismën apo ndonjë deputet që është i interesuar të jetë në bashkëqeverisje me Kurti III. Ne kemi thënë se duhet të ecim ose me qeveri të re, ose me zgjedhje”, theksoi Haxhiu.
Krahas këtyre, Haxhiu kritikoi partitë ish-opozitare, siç tha, që nuk kanë dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese kundër Listës Serbe.
Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Kuvendi më 26 gusht zgjodhi Dimal Bashën për kryeparlamentar si dhe tri nënkryetarët nga komuniteti shqiptar.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare./KP/


