Please enter at least 3 characters.

Haradinaj: AAK ka shënuar fitore historike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se “Aleanca ka shënuar një fitore historike”. Në Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Klinë, ai tha se kanë arritur fitore bindëse.

Kështu u shpreh ai në konferencë për media, ku Haradinaj tha se në këto zgjedhje lokale kanë garuar në 25 komuna për kandidatë për kryetar.

“Dëshiroj të ju informojë se në bazë të informatave, tash një pjesë i kemi edhe zyrtare nga KQZ, por sidomos nga komisionerët tanë dhe shtabet tona komunale, Aleanca ka shënuar një fitore po e quaj historike, për faktin se ka një fitore më bindëse në komunat ku ka qeverisur. Në Suharekë kemi një fitore bindëse, Bali Muharremaj. Në Rahovec kemi fitore bindëse, Smajl Latifi. Në Gjakovë fitore bindëse, Ardian Gjini, në Deçan fitore bindëse, Bashkim Ramosaj dhe në Klinë fitore bindëse, profesor Zenun Elezi", ka theksuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ekziston mundësia që gara në Junik të vazhdon dhe në raundin e dytë ku mund të garojmë.

"Ne kemi garuar në 25 komuna me kandidatë për kryetar edhe në 28 komuna për asamble, kemi informata për rritje të votës për Aleancën edhe në komuna tjera dhe për asamble, por këto të dhëna nuk do të nxitohemi tani meqë siç e dimë janë në procesim e sipër votat dhe presim rezultatin final”, deklaroi Haradinaj.

Zgjedhjet komunale sot janë zhvilluar në 38 komuna. /KP/