Hapet përkohësisht pika kufitare Strazimir mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
22/07/2025
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se Pika e Kalimit Kufitar (PKK) Strazimir, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të hapet për qarkullim të përkohshëm sezonal.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo pikë kufitare do të jetë funksionale nga data 25 korrik deri më 25 shtator 2025.
“Hapja e kësaj pike bëhet për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore, shkencore, profesionale, sportive dhe/apo turistike”, thuhet në vendim.
Autoritetet e të dy vendeve presin që kjo masë të lehtësojë lëvizjen dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos gjatë sezonit veror kur aktivitetet ndërmjet komuniteteve janë më të shumta.


