Please enter at least 3 characters.

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

Humanisti Halil Kastrati ka reaguar publikisht përmes një njoftimi në Facebook, duke paralajmëruar qytetarët për persona të panjohur që po përdorin emrin dhe fotografinë e tij për të kërkuar para në mënyrë mashtruese.

Drejtuesi i shoqatës bamirëse Jetimat e Ballkanit ka theksuar se ai dhe organizata nuk kërkojnë kurrë mjete financiare përmes mesazheve private, telefonatave apo profileve të paautorizuara.

Në reagimin e tij, Kastrati ka bërë të ditur se janë ndërmarrë edhe hapa ligjorë ndaj këtij rasti.

Ai ka deklaruar: “Kohët e fundit, persona të pandërgjegjshëm po keqpërdorin emrin dhe fotografinë time për të kontaktuar qytetarë dhe për të kërkuar para në mënyrë mashtruese. Dua t’ju njoftoj qartë dhe pa asnjë dilemë se unë personalisht dhe organizata Jetimat e Ballkanit nuk kërkojmë para nga askush përmes mesazheve private, telefonatave apo profileve të paautorizuara”.

Në vijim të reagimit të tij, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve.

“Ju lutem, mos dërgoni para dhe mos ndani të dhëna personale me persona që pretendojnë se janë unë ose se veprojnë në emrin tim pa ndonjë konfirmim zyrtar”, ka shtuar më tej humanisti shqiptar.

Sipas tij, rasti tashmë është dërguar te institucionet kompetente dhe kërkohet identifikimi i përgjegjësve.

“Për këtë rast tashmë janë ndërmarrë veprime ligjore dhe është bërë padi pranë institucioneve kompetente. Besoj dhe kërkoj që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vënë para drejtësisë”, thuhet në shkrimin e Kastratit.

Kastrati ka shprehur shqetësim për keqpërdorimin e besimit të qytetarëve dhe solidaritetit të ndërtuar ndër vite, duke theksuar se çdo aktivitet zyrtar i organizatës bëhet vetëm përmes kanaleve të verifikuara.

Ai ka publikuar edhe një numër telefoni që dyshohet se është përdorur për këto tentativa mashtrimi: +389 71 756 745. /Telegrafi/