Hajrulla Çeku: Pas 12 tetorit, Lagjja e Artistëve në Prishtinë do ta ketë mbështetjen edhe nga Komuna
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka vizituar Lagjen e Artistëve në Ulpianë, një hapësirë unike ku shumë krijues kanë sjellë jetë dhe art në qytet.
Çeku theksoi se shumë nga nismat e artistëve janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, por nga 12 tetori e tutje do të kenë përkrahje të vazhdueshme edhe nga Komuna e Prishtinës.
Në kuadër të platformës “Prishtina 2035”, ai ka paraparë një paketë masash për zhvillimin e artit dhe veprimtarive krijuese: ndërtimin e hapësirave shumëpërdorimëshe komunitare në çdo lagje dhe fshat, rezidenca vjetore për 30 artistë dhe krijimin e një fondi emergjent për përkrahjen e tyre shoqërore.
“Prishtina duhet të jetë qytet i artit dhe kulturës, ku krijimtaria mbështetet dhe vlerësohet. Ky është vizioni jonë drejt një kryeqyteti kreativ dhe inspirues,” tha Çeku. /Telegrafi/


