Gruaja në Tiranë sjell në jetë katërnjakë të shëndetshëm
Një lajm i gëzueshëm është ndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, ku përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se në Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë, një nënë e re ka sjellë në jetë katërnjakë përmes një shtatzënie natyrale.
“Nga familja fantastike e Rozetës dhe Geraldos, të cilët janë bekuar me katërnjakët: Roal, Alrda, Roar dhe Auro ardhur nga një shtatzani natyrale. Jetë të gjatë vogëlushëve, të cilët pas një muaji kujdesi shëndetësor intensiv, tani janë gati për të lënë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë”, njofton MSHMS.
Ministria ka vlerësuar përkushtimin e stafit mjekësor, duke theksuar se ky është një shembull i shkëlqyer i profesionalizmit dhe humanizmit që karakterizon bluzat e bardha në vend.
“Jetë të gjatë vogëlushëve, të cilët pas një muaji kujdesi shëndetësor intensiv, tani janë gati për të lënë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë.”- përfundon njoftimi.
Kujtojmë se familja përfiton nga programi i mbështetjes financiare “Bonusi i bebes”, një nismë e qeverisë shqiptare që është zbatuar që prej vitit 2019 dhe synon të ndihmojë familjet që sjellin në jetë fëmijë, duke ofruar mbështetje të menjëhershme financiare për çdo lindje të re.


