Please enter at least 3 characters.

Gruaja australiane goditet nga rrufeja, sytë i ndryshojnë ngjyrë pas incidentit tronditës

Një grua australiane është me fat që është gjallë pasi u godit nga rrufeja, edhe pse ajo mbeti me një ndërlikim të veçantë - bebëzat e saj tani kanë një ngjyrë tjetër.

“Sytë e mi më parë të gjelbër tani janë kafe të errët”, tha komedianja Carly Electric, 30 vjeçe, për efektin anësor tronditës.

Banorja e Queensland ka qenë gjithmonë “e dashuruar” me rrufetë dhe madje ka bërë tre tatuazhe me temë fenomenin e saj të preferuar të motit.

Fatkeqësisht, Electric pati një takim më të afërt me rrufenë sesa do të donte në vitin 2023, kur u godit duke u përpjekur ta filmonte stuhinë, përcjell Telegrafi.

Gjërat morën një kthesë më të frikshme pasi, krejt papritur, Electric humbi "të gjitha ndjenjat" në gjymtyrët e saj.

"Nuk mund të lëvizja, as edhe një centimetër", rrëfeu gruaja e shqetësuar.

Në momentin që kishte mbërritur automjeti i urgjencës, këmbët dhe duart e Electric ishin mpirë dhe ajo nuk mund të lëvizte asgjë përveç kokës dhe qafës.

"Edhe pse isha zgjuar, po luftoja për të marrë frymë", tha ajo.

Gjëja e fundit që ajo kujtoi ishte mjekët në spital, me ç'rast humbi vetëdijen për disa orë.

Ajo u diagnostikua me keraunoparalizë, e njohur edhe si paralizë rrufeje, një paralizë dobësuese, por e përkohshme e gjymtyrëve që ndodh kur dikush goditet nga rrufeja.

Electric thuhet se nuk ishte në gjendje të lëvizte për nëntë orë.

Dhe ndërsa ajo përfundimisht u shërua, u befasua pasi zbuloi se sytë e saj kishin ndryshuar pigment.

“Kur e kërkova në internet, zbulova se nuk ishte e pazakontë që kjo të ndodhte te njerëzit që ishin goditur nga rrufeja”, tha ajo.

Ndryshe, Electric nuk është e para që përjeton simptoma të çuditshme pasi u godit nga një rrufe.

Në vitin 2017, një adoleshente nga Alabama, e cila u godit nga rrufeja, u trondit pasi shikimi i saj u përmirësua deri në atë pikë sa nuk duhej të mbante më syze. /Telegrafi/