Gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës ende janë në pritje të drejtësisë
Letër e hapur me rastin e formimit të Institutit për Krime të Luftës)
I nderuar z. Prof. Dr. Zejnullah Gruda,
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ju përgëzon për hapjen e Institutit për Krime të Luftës. Ne besojmë se Instituti mund të luaj një rol kyç në zbatimin e drejtësisë duke zbuluar të vërtetën lidhur me krimet e kryera gjatë luftës. Njëkohësisht, ne duam t’ju njoftojmë lidhur me rrethanat dhe nevojat specifike të grave të cilat janë të prekura nga këto krime, në veçanti nga dhunimet gjatë luftës.
Për më tepër se një dekadë pas luftës, gratë dhe vajzat e dhunuara (numri i të cilave supozohet se kalon 10,000) ende janë në pritje të drejtësisë për to. Hetimi dhe përndjekja e dhunimeve dhe veprave tjera penale të kryera gjatë luftës kundër grave mbetet ende në nivel të ulët. Të pakta kanë qenë rastet kur për kryerësit e dhunimeve apo veprave të tjera penale të kryera gjatë dhunës janë ngritur aktakuza; këto vepra shumë rrallë janë përfshirë në aktakuzat e ngritura nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Neglizhenca e treguar për rastet e dhunës seksuale në vendet që kanë kaluar nëpër konflikte ka ndikim negativ dhe ngadalëson arritjen e paqes dhe krijimin e ndjenjave të sigurisë brenda komuniteteve përkatëse. Për më tepër, Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (e vitit 2000) bën thirrje për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna në baza gjinore, në veçanti nga dhunimet apo rastet tjera të keqtrajtimit seksual.
Dhuna e kryer gjatë luftës ka pasur ndikim në shëndetin fizik dhe reproduktiv të grave. Ajo ka rezultuar me pasoja serioze për shëndetin mental të popullatës së Kosovës. Hulumtimet kanë treguar se përafërsisht një e katërta e popullatës vuan nga Çrregullimet e Stresit Pastraumatik – PTSD (ndërsa që ka aktivistë se besojnë se është në fakt gjysma e popullatës që përballet me të). Gratë dhe burrat, anëtarët e familjeve të të cilëve janë zhdukur gjatë luftës vazhdojnë të përballen me traumë edhe sot e kësaj dite. Gratë të cilat kanë anëtarë të pagjetur të familjes përballen me sfida edhe më të mëdha në qasjen në prona dhe pasuri, të cilat do t’u mundësonin atyre sigurimin e një jete në mënyrë të pavarur. Humbjet të cilat ato pësuan, edhe të të afërmve të tyre dhe të pronës së tyre, ende mbeten pa u kompensuar.
Ne ju inkurajojmë që publikisht ta deklaroni dhe ta identifikoni dhunimin gjatë luftës si krim dhe kërkojmë nga ju që t’i përfshini këto vepra panele në hetimin e krimeve të cilat ndodhën në Kosovë gjatë luftës. Me këtë rast, na lejoni t’jua ofrojmë përkrahjen tonë dhe t’ju sigurojmë se do të gëzoni përkrahjen tonë. Si rrjet i 68 organizatave të grave në tërë Kosovën, ne kemi qasje tek gratë të cilat kanë pësuar nga krimet e tilla, por edhe ekspertë të trajnuar për të pasur një qasje më të ndjeshme gjatë punës me gratë që ende përballen me trauma. Ne mirëpresim bashkëpunimin me ju në të ardhmen.
(Autorja është Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës)


