Goditja me bërryl i kushton shtrenjtë Kamberit, mbrojtësi pëson katër thyerje në hundë
Mbrojtësi kosovar i FC Zürichut, Lindrit Kamberi, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen ndaj Basel.
Klubi zviceran ka bërë të ditur se kapiteni i Zürichut ka pësuar thyerje të katërfishtë të ashtit të hundës, pas një goditjeje me bërryl nga Ludwig Malachowski.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së së shtunës, ndërsa Kamberi pati gjakderdhje të konsiderueshme nga hunda dhe u detyrua të merrte trajtim mjekësor për disa minuta.
Në reagimin e tij, Zürich ka shprehur pakënaqësi për vendimin e gjyqtarit, duke e cilësuar ndërhyrjen si akt të qartë dhune. Malachowski u ndëshkua vetëm me karton të verdhë, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri.
Për momentin nuk dihet nëse Kamberi do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundjavës. Vendimi do të varet nga gjendja e tij pas dëmtimit.
Kamberi është një prej futbollistëve të rëndësishëm të Zürichut dhe mban edhe shiritin e kapitenit të skuadrës./Telegrafi/


