Gjykimi i Nagip Krasniqit, dëshmitari jep versionin e tij për tregtimin e energjisë mes KEK-ut dhe kompanisë sllovene
Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit, dëshminë para trupit gjykues e ka dhënë dëshmitari Edmond Nulleshi, i cili tani tha se me profesion është inxhinier i elektroteknikës.
Nagip Krasniqi akuzohet se i ka shkaktuar dëm KEK-ut 3 milionë euro për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, e cila sipas Prokurorisë Speciale nuk ka qenë e licencuar në Kosovë.
Nulleshi tha se gjatë vitit 2022-2023 ka mbajtur pozitën e drejtorit ekzekutiv të shërbimeve të KEK-ut.
Dëshmitari sqaroi se si zhvillohej tregtimi i energjisë elektrike mes KEK-ut dhe kompanisë HSE gjatë viteve 2022-2023 gjatë kohës sa ai ka qenë i angazhuar në këtë proces.
Dëshmitari tha se në këtë proces ka qenë i angazhuar diku për një periudhë 3-4 mujore, dhe se procesi i tregtimit të energjisë elektrike zhvillohej përmes ankandeve ditore apo në bazë të nevojave.
“Procesi i tregtimit zhvillohej përmes ankandeve ditore apo në bazë të nevojave kurdo kur ka pasë tepricë të energjisë elektrike dhe kurdo që kishte nevojë të importohej energjia elektrike nga Koorporata Energjetike e Kosovës, kryesisht kur ndonjë njësi kishte rënie nga prodhimi në mënyrë të paplanifikuar” – deklaroi dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, tregtimi zhvillohej përmes ankandeve dhe kurdo që kishte nevojë të zhvillohej tregtimi ftesa u dërgohej të gjitha palëve me të cilat Koorporata Energjetike e Kosovës kishte nënshkruar kontratë gjenerale EFTA.
Tutje, dëshmitari tha se kompania HSE ka pasur të nënshkruar kontratë gjenerale EFTA me KEK-un mirëpo theksoi se kjo kontratë ka qenë në vitin 2018.
Më tej dëshmitari tha se ZRRE kishte filluar një proces të monitorimit në KEK, ndërsa deri në vitin 2022 dëshmitari tha se nuk ka njohuri nëse ZRRE ka pasur monitorime të kësaj natyre në KEK.
“A jeni në dijeni për ekzistencën e opinionit ligjor të përgatitur nga zyra ligjore e KEK-ut lidhur me rekomandimin e ZRRE-së për ndërprerjen e energjisë dhe përgjigjen e kësaj zyre se rekomandimet e ZRRE-së janë ligj dhe duhet respektuar?” – pyeti prokurori Dren Paca dëshmitarin.
“Jo, këtë shkresë nuk e kam pa”- u përgjigj dëshmitari.
Tutje, dëshmitari tha se duke marrë parasysh se ZRRE-ja është institucion për dhënien e interpretimeve ligjore janë pajtuar që të ndërpresin tregtimin me kompaninë HSE.
Ndër të tjera dëshmitari Nulleshi tha se është në dijeni që më herët kompania HSE ka qenë agjent tregtar i KESCO-s.
Sipas dëshmitarit Nulleshi në shtetin e Sllovenisë tregtarëve të energjisë elektrike nuk u kërkohet lincenca e tregtimit me energji elektrike.
Dëshmitari tha se në njërën prej shkresave që e ka pasur KEK-u me ZRRE-në është deklaruar ky fakt.
Dëshmitari Nulleshi tha se KEK-u nuk nënshkruan dhe nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje të reciprocitetit.
Sipas dëshmitarit, ZRRE-ja ka marrëveshje të reciprocitetit me disa shtete, por me shtetin slloven me aq sa ai ka njohuri nuk ka.
Me të përfunduar dëshminë dëshmitari Edmond Nulleshi, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin janar 2026.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Arben Hoti (kryetar) dhe Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili (anëtarë).
Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Dren Paca.
Akuza e Prokurorisë rëndon mbi Krasniqin se i ka shkaktuar dëm KEK-ut mbi 3 milionë euro pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) e kishte gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro si shkak i veprimeve të Krasniqit.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 08.10.2025 i akuzuari Nagip Krasniqi nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzën – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Edhe në shqyrtim gjyqësor në seancën e mbajtur më 03.07.2025 Krasniqi kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.
Krasniqi nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka bërë tregti për energji elektrike me një kompani sllovene, e cila nuk ishte e licencuar në Kosovë.
Mbi këtë bazë Prokuroria pretendon se KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej mbi 3 milionë euro.
Krasniqi po akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.
Çfarë kishte deklaruar Nagip Krasniqi në Prokurori?
Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO i pandehuri Nagip Krasniqi, në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori më datë 05.07.2024, ka deklaruar se nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023 kishte qenë Kryeshef Ekzekutiv në KEK.
Nagip Krasniqi, gjatë deklarimit në Prokurori kishte thënë se KEK-u kishte tregtuar me të gjitha kompanitë që kishin qenë të licencuara në Kosovë dhe në shtetet që kishin qenë anëtarë të Komunitetit të energjisë të cilat sipas Ligjit për Energji Elektrike nuk kishin nevojë për ri-licencim në Kosovë, duke shtuar se edhe “HSE” dhe kompanitë tjera tregtare ishin anëtare të Federatës Europiane të tregtimit të energjisë elektrike.
“KEK-u që nga viti 2018 kishte kontratë të veçantë për tregtim të energjisë elektrike me “HSE” dhe tregtarët tjerë dhe se “HSE”-ja kishe bërë aderimin e rregullt të tregut në Kosovës tek KOSST” – kishte thënë i akuzuar Nagip Krasniqi në Prokurori.
Sa i përket konfirmimit të blerjeve apo shitjeve të energjisë para nënshkrimit të kontratave individuale EFET, i pandehuri Krasniqi kishte deklaruar se në disa raste e kishte bërë vetë e në disa raste drejtori i operimeve Luigj Imeri dhe se departamenti për tregtim nuk i përgjigjej direkt atij por drejtorisë operative.
“…tregtimi i energjisë ishte bërë jashtë territorit të Kosovës dhe për atë tregtim ZRRE-ja nuk kishte kompetencë, 2.Duke u bazuar në ligjin për energjinë elektrike neni 32 dhe 3, përjashtimi i një operatori ndikonte në rritjen e çmimeve në blerje dhe çmimeve më të ulëta në shitje, që do të dëmtonin interesin e kompanisë dhe do të ngarkonte më shumë fondin e subvencioneve nga Qeveria” – kishte thënë i pandehuri Krasniqi në Prokurori lidhur me vërejtjet e ZRRE-së.
Tutje sipas aktakuzës lidhur me opinionin e zyrës ligjore për vërejtjet e ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me operatorë të pa licencuar dhe pse nuk kishte marrë për bazë opinionin e tyre, i pandehuri kishte thënë se arsyet kryesore ishin sepse ligji për energjinë elektrike e lejonte dhe e dyta në biseda me sekretariatin e energjisë në Vjenë, interpretimi i tyre verbal kishte qenë që Ligji për Energjinë Elektrike e lejonte diçka të tillë dhe se kompanitë nuk duhet që të pengoheshin në tregtimin e lirshëm të energjisë elektrike.
Ndërsa, sa i përket rekomandimit të ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me HSE-në, Krasniqi kishte deklaruar se rekomandimi nuk ishte obligim dhe se atë rekomandim e kishte konsideruar të kundërligjshëm dhe po të respektohej i njëjti, dëmi do të ishte i pariparueshëm, duke shtuar se “HSE” nuk duhej trajtuar si kompani e pa licencuar pasi ishte kompani shtetërore në Slloveni dhe Sllovenia është anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe se me atë kompani nuk kishte asnjë lidhje.
Lidhur me opinionin e zyrës ligjore të datës 07.10.2022 ka thënë se ishte i paqartë dhe ambicioz dhe lidhur me subvencionet e marra nga qeveria ka deklaruar se ato ishin përdorur për mbulimin e furnizimit të shërbimit universal për shkak të pamundësisë së KESCO-s që të bënte ato blerje për shkak të problemeve financiare që i kishte.
Krasniqi po dyshohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023, ditë kjo që përkon edhe me arrestimin e tij.
Sipas një dispozitivi të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
“…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531,920.79 euro.
“…dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531,920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.
Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, më 15.09.2023.
Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.


