Gjobë 500 euro ndaj një personi në Sojevë për ndotje të mjedisit dhe rrezikim nga zjarri
Një person është gjobitur me 500 euro nga Policia në Ferizaj, pasi dyshohet se kishte djegur materiale të ndryshme në oborrin e një shtëpie në fshatin Sojevë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe rrezik për përhapjen e zjarrit.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 16 gusht, rreth orës 22:00, pas ankesave të qytetarëve për djegien e materialeve në një oborr në rrugën “Bau Beiden”.
Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin e dyshuar, SH.SH., 55-vjeçar.
Policia ka bërë të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-071, neni 49.
Masa është shqiptuar për shkak të ndotjes së mjedisit dhe rrezikut që zjarri paraqiste për pronat përreth.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, ndotje të mjedisit apo rrezikim të pronës dhe jetës, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.
Rastet e tilla mund të raportohen në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar se informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/


