Gjermanët kalojnë mesatarisht 22 ditë në vit në pushim mjekësor
Gjermania po përgatitet të ashpërsojë rregullat për pushimet mjekësore, në një përpjekje për të frenuar mungesat nga puna dhe për të rritur produktivitetin.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se masat e reja mund të trajtojnë pasojat dhe jo shkaqet e problemit.
Punonjësit në Gjermani ishin mesatarisht rreth 22 ditë në pushim mjekësor gjatë vitit 2024, ndërsa qeveria e kancelarit Friedrich Merz po shqyrton heqjen e mundësisë për marrjen e raportit mjekësor përmes telefonit. Punëdhënësve mund t’u lejohet gjithashtu të kërkojnë vërtetim mjekësor që nga dita e parë e mungesës.
Por ekspertët thonë se rritja e mungesave lidhet edhe me presionin në rritje në vendin e punës, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale, shkruan reuters.
Mungesa kronike e stafit, pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për avancim dhe ngarkesa e lartë emocionale konsiderohen ndër faktorët kryesorë.
Të dhënat tregojnë se punonjëset në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ishin mesatarisht 27 ditë në pushim mjekësor në vitin 2024, ndërsa mësuesit 24 ditë. Në sektorin financiar mesatarja ishte 18 ditë, ndërsa në komunikime 16 ditë.
Ndërkohë, pushimet mjekësore për shkak të problemeve të shëndetit mendor janë rritur ndjeshëm. Numri i ditëve të mungesës për këto arsye është rritur me 47 për qind që nga viti 2014, duke i bërë problemet e shëndetit mendor një nga shkaqet kryesore të mungesave afatgjata në punë.
Planet e qeverisë janë kritikuar nga sindikatat dhe organizatat e mjekëve, të cilat paralajmërojnë se kufizimi i raporteve mjekësore me telefon mund të rëndojë më tej ordinancat tashmë të mbingarkuara. Sindikata Verdi e ka cilësuar qasjen si shenjë të një “kulture mosbesimi” ndaj punëtorëve. /Telegrafi/


