Gjendje serioze me mbeturina në Fushë Kosovë, banorët kërkojnë ndërhyrje - flasin nga Komuna
Mbeturinat e grumbulluara në disa pjesë të Fushë Kosovës kanë ngritur shqetësimin e banorëve, të cilët thonë se problemi nuk është i ditëve të fundit, por po vazhdon prej disa muajsh.
Banorët e rrugës “Gjergj Fishta” kanë treguar për gjendjen me të cilën përballen dhe për mënyrën se si po menaxhohet grumbullimi i mbeturinave.
“Ka dy muaj që është gjendje e tillë. Kompania ka disa muaj që nuk i mbledh hiç mbeturinat. Nuk është vetëm ky rast, po ka edhe shumë vende tjera, gjendja është e tillë”, tha një banor.
I pyetur nëse ardhja e mërgimtarëve ka ndikuar në rritjen e sasisë së mbeturinave, ai tha se problemi ka filluar shumë më herët.
“Jo, jo. Që tre-katër muaj është gjendja e tillë. Nuk kanë ndiku mërgimtarët tek kjo gjendje”, u shpreh ai.
Banorët thonë se një tjetër problem është numri i pamjaftueshëm i kontejnerëve, sidomos pas rritjes së numrit të banorëve në këtë pjesë të qytetit.
“Unë mendoj se duhet kompanitë me i marrë dy herë në ditë këtu mbeturinat”, tha një qytetar.
Një banor tjetër ka ngritur shqetësime për mënyrën se si janë vendosur kontejnerët dhe për rritjen e numrit të mbeturinave pas ndërtimit të objekteve të reja banesore.
“Shumë ka qenë e qetë kjo lagje. Mirëpo, me ardhjen e ndërtimeve të reja, i kanë qitë dy-tri kontejnerë pa kurrfarë projekti, as prej kompanisë, as prej komunës”, deklaroi ai.
Sipas tij, situata është përkeqësuar pas hapjes së një objekti të ri banesor, pasi mbeturinat tash grumbullohen nga banorët e një zone më të gjerë.
“Kur është hapë edhe ky soliteri këtu, krejt njerëzit i qesin mbeturinat në lagjen 'Gjergj Fishta'. E patolerueshme”, deklaroi banori për Telegrafin.
Ai ka ngritur edhe shqetësime lidhur me sigurinë dhe kushtet në zonë, duke thënë se ka adresuar kërkesa në komunë dhe te institucionet përgjegjëse.
“Unë e kam paraqitë kërkesën në komunë. E kam paraqitë një kërkesë edhe për inspektim, për me pa gjendjen kaotike qysh është. Jam shku e kam marrë një avokat. Avokati ka qenë atje, po veç e kam pagu avokatin, nuk ka pasë kurrfarë përgjigjeje prej komunës”, tha ai.
Ndërkohë, drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Fushë Kosovës, Izja Mjeku, ka thënë se komuna është duke punuar për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.
Sipas tij, në periudhën e fundit sasia e mbeturinave është rritur, ndërsa disa pika pastrohen edhe dy herë brenda ditës.
“Me rritjen e sasisë së mbeturinave për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, shumë shpesh edhe dy herë brenda ditës kryhet pastrimi i mbeturinave nga kjo pikë dhe të gjitha pikat të cilat janë me kontejnerë”, tha Mjeku.
Ai ka bërë të ditur se Komuna e Fushë Kosovës është duke ndërtuar pika të reja grumbulluese dhe planifikon rritjen e numrit të kontejnerëve.
“Komuna e Fushë Kosovës është duke i ndërtuar pikat grumbulluese të mbeturinave dhe do të rritet numri i kontejnerëve, në mënyrë që sasia e mbeturinave të mos qëndrojë në tokë, mirëpo të qëndrojë në kontejnerë”, deklaroi Mjeku për Telegrafin.
Drejtori ka pranuar se ka pasur raste kur mbeturinat kanë qëndruar për një kohë më të gjatë, duke e lidhur këtë me kapacitetet e kompanisë përgjegjëse.
“Ka pasur raste, sepse, siç edhe dini, në bazë të ligjit, kompetencë ekskluzive për bartjen e mbeturinave është Kompania Regjionale 'Pastrimi'. Mirëpo, ajo për shkak të mekanizmit të vjetruar, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme, nuk ka mundur t’u shërbejë qytetarëve aty si duhet”, potencoi më tej Mjeku.
Ndërsa banorët kërkojnë që institucionet dhe kompania përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar grumbullimin e mbeturinave dhe për të siguruar mirëmbajtje më të rregullt të hapësirave publike. /Telegrafi/


