Gërvalla: Republika e Kosovës duhet të jetë në Këshillin e Evropës
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një takim me Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Republikën e Kosovës, Mary Ann Hennessey, riafirmuan se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një aspiratë politike, por një domosdoshmëri që buron nga përkushtimi i palëkundur dhe i dëshmuar ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ajo ka shkruar se ky përkushtim nuk mbetet në deklarata.
“Përmes funksionalizimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si instrument kyç në luftën kundër korrupsionit, shpërlarjes së parave dhe krimit të organizuar, garantohet se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin, si dhe përmes zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, që synon institucione më të forta dhe besim më të madh qytetar”, ka shkruar ajo.
Tutje në njoftim thuhet se në të njëjtën kohë, trajtimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore mbetet prioritet i pakompromis, që kërkon reagim të koordinuar dhe veprim të qëndrueshëm institucional.
“Republika e Kosovës jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por qëndron si dëshmi e gjallë e vlerave që kjo organizatë mbron. Për këtë arsye, vendi meritor i Republikës sonë në këtë organizatë nuk duhet të vonohet më”, ka shkruar Gërvalla. /Telegrafi/


